ShBA-ja dërgon katër luftanije në lindje të Tajvanit para vizitës së Pelosit
Përderisa kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, pritet që ta vizitojë Tajvanin të martë pavarësisht nga paralajmërimet e Kinës, katër luftanije amerikane, përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujërat në lindje të ishullit.
Aeroplanmbajtësja “USS Ronald Reagan” kaloi nëpër Detin Jugor të Kinës dhe tashmë ndodhet në Detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit dhe Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i forcave detare amerikane të martën për agjencinë “Reuters”.
Aeroplanmbajtësja me bazë në Japoni është duke operuar me luftanijet e tjera, “USS Antietam” dhe “USS Higgins”.
“Përderisa ato mund t’i kundërpërgjigjen çfarëdo rastisjeje, këto janë pozicionime normale, rutinore”, tha zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti. Ai shtoi se nuk mund të komentojë për vendndodhjen e saktë të luftanijeve.
Zyrtari i forcave detare tha se në zonë ndodhet edhe luftanija “USS Tripoli” si pjesë e një pozicionimi në rajon, që nisi në fillim të majit nga baza e saj në San Diego.
Pelosi, kritikuese e vjetër e Kinës, pritet që të arrijë në Taipei më vonë të martën, sipas disa burimeve.
Konfirmimi i dërgimit të këtyre luftanijeve u bë kur u shfaqën shenjat e aktivitetit ushtarak në të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit para vizitës së Pelosit.

Përpos fluturimit të aeroplanëve kinezë të martën në mëngjes, disa luftanije kineze mbetën afër vijës ndarëse jozyrtare nga e hëna, sipas një burimi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Sipas një burimi, aeroplanët kinezë vazhdimisht bënë lëvizje taktike dhe e prekën shkurtazi vijën e mesme si dhe qarkulluan në anën tjetër të ngushticës të martën në mëngjes, ndërsa aeroplanët e Tajvanit ishin në gjendje gatishmërie.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se është në dijeni të plotë të aktiviteteve ushtarake afër Tajvanit dhe do të angazhojë forca në mënyrë të duhur si reagim ndaj “kërcënimeve të armikut” përderisa tensionet me Kinën po rriten.
Në qytetin juglindor kinez, Xiamen, që shtrihet përballë Tajvanit dhe ku ka prani të madhe ushtarake, banorët raportuan se kanë parë lëvizje të automjeteve të blinduara dhe publikuan fotografi në internet.
Nga java e kaluar, ushtria kineze ka kryer ushtrime të ndryshme, përfshirë ushtrimet me municion të vërtetë, në Detin Jugor të Kinës, Në Detin e Verdhë dhe në Detin Bohan.
Disa analistë rajonalë ushtarakë thonë se shtimi i pozicionimeve në kohën e rritjes së tensioneve e shton rrezikun për aksidente, edhe nëse asnjëra palë nuk dëshiron konflikt të vërtetë./Nacionale