Kroacia e lejon ekstradimin në Gjermani të të dyshuarit për shpërthimin në “Nord Stream”
Një gjykatë kroate ka marrë vendim që një burrë ukrainas, i dyshuar për përfshirje në shpërthmet e gazsjellësit “Nord Stream” në vitin 2022, mund të ekstradohet në Gjermani, raportoi të enjten portali ukrainas, “Suspilne”, transmeton agjencia “Reuters”.
Prokurorët gjermanë kanë thënë se personi i identifikuar si Vladimir Z. ishte zhytës, pjesë e një grupi që qëndron prapa shpërthimeve që ndodhën pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës më herët atë vit.
Shpërthimet – të cilat nga Rusia dhe vendet perëndimore janë përshkruar si sabotim – e dëmtuan gazsjellësin “Nord Stream 1”, rrugë jetike për eksportimin e gazit rus në Evropë, si dhe degën “Nord Stream 2”, e cila ende nuk kishte hyrë në përdorim.
Avokai i të dyshuarit, Mykola Katerynchuk, e kundërshtoi vendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të anshëm dhe politik dhe se do ta apelojë atë, sipas raportit të portalit “Suspilne”.
Gjykatat gjermane e kanë trajtuar rastin si pjesë të juridiksionit të tyre, sepse gypat e dëmtuar përfundojnë në shtetin gjerman, Mecklenburg-Vorpommern, dhe shkatërrimi i tyre i ka prekur sigurinë energjetike dhe sigurinë e brendshme të Gjermanisë.
Vladimir Z. ishte arrestuar në gusht në një hotel në qytetin bregdetar kroat, Pula, sipas një urdhërarresti evropian. Avokatët e tij kanë thënë se klienti i tyre e mohon përfshirjen në shpërthime.
Një i dyshuar tjetër në rast, ish-oficeri ushtarak ukrainas, Serhii K., në korrik u akuzua për orkestrimin e shpërthimeve duke vepruar në emër të entiteteve shtetërore ukrainase.