“Do të vazhdojmë, në borë e në shi”: Në natën e 10-të, protesuesit e mbushin sheshin “Skenderbeu”
Qindra qytetarë kanë marshuar në sheshin “Skenderbeu” në natën e 10-të të protestës “Jo në emrin tim”.
Ndonëse temperaturat kanë rënë dhe gjatë gjithë ditës ka pasur reshje shiu, qytetarët kanë dalur sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, tha se tubimet do të vazhdojnë “në borë e në shi”, derisa kërkoi ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Do të vazhdojmë, në borë e në shi, të kërkojmë përgjigje me çdo rrugë demokratike që na takon si qytetarë të këtij vendi. Nuk po kërkojmë favore, procedojeni ligjin, votojeni.
Secili të mbajë përgjegjësi për votën e vet, do të mbani përgjegjësi para gjakut të dëshmorëve. Po bie shi, por sheshi nuk është bosh, kjo është përgjigja jonë. Shihemi këtu përsëri për çdo ditë, e çdo natë, do të shihemi deri në realizimin e kërkesave tona.
Të organizohemi fort për 1 tetor, për marsin e madh me moton “Jo në emrin tim”, tha ai.
Gjatë ditës, mijëra qytetarë kanë protestuar nëpër qytete të ndryshme të Kosovës si në Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, Gjilan, Vushtrri, Prizren, Deçan, Kamenicë, Podujevë – e shumë pjesë të tjera të vendit.
Ndërkohë, për ditët në vazhdim, janë paralajmëruar protesta në qytete të ndryshme të Evropës.
Më poshtë, mund të shihni listën e qyteteve dhe orën kur do të protestohet:
Theksojmë se Kuvendit të Kosovës tash e disa herë i është kërkuar që ta ndryshojë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas një takimi të Këshillit Drejtues, Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë politike, ku mes tjerash përfshihej kjo kërkesë.
“Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.
Ky shqyrtim duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale”, thuhej mes tjerash.