Zelensky në OKB: Ukraina nuk e zgjodhi këtë luftë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që t’ua sjell ndër mend delegatëve nivelin e ndikimit të luftës ndaj vendit të tij, duke pretenduar se as një fitore e pjesshme nuk do t’i mjaftonte presidentit rus, Vladimir Putin.
Zelensky tha se Putini do të pretendojë se rajoni i Donetskut nuk i mjafton dhe do të kërkojë qytete të tjera ukrainase, raporton gazeta “The Guardian”.
“Rusia ka përdorur mbi 2.100 raketa kundër nesh. Më shumë se 950 prej tyre ishin raketa balistike” – deklaroi presidenti ukrainas.
“Ata hedhin dronë Shahed për çdo orë... Ne jemi duke luftuar kundër tyre 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë” – shtoi ai.
Më tej, Zelensky tha se Rusia po e bën këtë me qëllim që “ta bëjë më të vështirë jetën për ekonominë dhe ta pengojë jetën tonë. Ata i pengojnë fëmijët në shkollë. A do të mbijetonte vendi juaj diçka si kjo?”
“Ukraina nuk e zgjodhi këtë luftë” – shtoi presidenti ukrainas, duke paralajmëruar se sulmet e vazhdueshme ruse ndaj sistemit energjetik të Ukrainës do të rezultojnë në masa hakmarrëse.
“Ukrainasit kuptojnë se ky dimër mund të jetë shumë i vështirë për ne, por, si kundërpërgjigje, ne nuk do të kemi zgjedhje tjetër, përpos ta bëjmë atë të dhimbshëm edhe për Rusinë” – tha ai.