Rubio zbulon se Putini do të ftohet në Samitin e G20-ës në Miami - NACIONALE

Rubio zbulon se Putini do të ftohet në Samitin e G20-ës në Miami

19 orë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara do ta ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në Samitin e G20-ës në Miami në dhjetor të këtij viti, tha të mërkurën sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, pas një takimi me homologun e tij, Sergei Lavrov, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Grupi G20 është forum i rëndësishëm ekonomik ndërkombëtar. Rusia mbetet anëtare e këtij grupi, edhe pse ishte përjashtuar nga grupi G8 pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë së Ukrainës më 2014, raporton mediumi ukrainas, “Kyiv Independent”.

“Ne mendojmë se është një mundësi që [Putini] të angazhohet jo vetëm me presidentin [amerikan], por me udhëheqës të tjerë botërorë. Ne shpresojmë se kjo është një ftesë që ai do ta pranojë. Ne mbesim të hapur për t’u angazhuar” – tha Rubio para gazetarëve.

Nëse Putini merr pjesë në samit, kjo do të ishte vizita e tij e dytë në Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump. Vizita e tij e parë shtetërore në gati një dekadë u zhvillua në gushtin e vitit të kaluar, kur ai udhëtoi për në Alaskë për bisedime rreth luftës në Ukrainë, por që nuk prodhoi ndonjë marrëveshje të rëndësishme.

Pas samitit të Alaskës, Trumpi tha në shtatorin e vitit të kaluar se do të donte që ta priste Putinin në samitin e G20-ës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sinjalizoi në një intervistë me mediat gjermane, që u publikua më 12 shtator, se ai do të ishte i gatshëm për t’u takuar me Putinin në samitin e G20-ës, duke thënë: “Ne duhet të takohemi, të flasim dhe të marrim vendime.”

Lajme të ngjashme