Senati i Italisë e mbështet planin e Melonit për rinisjen e prodhimit të energjisë bërthamore - NACIONALE

Senati i Italisë e mbështet planin e Melonit për rinisjen e prodhimit të energjisë bërthamore

17 orë më parë

nga NACIONALE

Senati i Italisë të mërkurën i dha miratimin përfundimtar një plani qeveritar për rinisjen e prodhimit të energjisë bërthamore, gati 40 vjet pasi një referendum e kishte sjellë mbylljen e reaktorëve të Italisë.

Qeveria synon që të dislokojë reaktorë të avancuar modularë për ta ndihmuar dekarbonizimin e industrisë dhe për ta fuqizuar sigurinë energjetike, duke argumentuar se avancimet teknologjike dhe të sigurisë e kanë bërë të pavlefshëm referendumin anti-bërthamor të vitit 1987, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Administrata djathtiste e kryeministres Giorgia Meloni po synon që ta mbrojë ekonominë nga rritja e çmimeve të energjisë, e nxitur nga konfliktet në Lindjen e Mesme, duke i rikthyer thirrjet për zvogëlimin e varësisë nga furnizimet e jashtme me energji.

“Energjia e qëndrueshme bërthamore, së bashku me burimet e përtëritshme të energjisë, do ta bëjnë Italinë vend të sigurt, të pavarur dhe konkurrues” – tha pas votimit në Senat ministri i Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin.

Italia varet shumë nga importet e energjisë, përfshirë rrymën e prodhuar nga centralet bërthamore në shtetet fqinje si Franca, por ata që bëjnë fushatë kundër këtij lloji të energjisë argumentojnë se shqetësimet për sigurinë dhe koha e gjatë që nevojitet për ndërtimin e reaktorëve të rinj ia marrin anën çfarëdo përfitimi nga rihapja e këtij sektori.

Italianët mbeten të përçarë sa i përket kësaj teme. Sipas një sondazhi të realizuar në qershor nga kompania “Demopolis”, 51 për qind e pjesëmarrësve e mbështesin rinisjen e prodhimit të energjisë bërthamore, por shumica e kundërshtuan ndërtimin e një centrali bërthamor afër shtëpisë së tyre.

Lajme të ngjashme