Lufta në Ukrainë: Bisedime maratonë me Putinin, Witkoff dhe Kushner nisen për takime në Kiev
Presidenti rus Vladimir Putin është takuar të shtunën në Kremlin me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në kuadër të përpjekjeve të reja për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Takimi zgjati më shumë se tri orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, pa ndonjë njoftim për marrëveshje apo përparim konkret pas përfundimit të tij.
Këshilltari i Putinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, i përshkroi bisedimet si “konstruktive, jashtëzakonisht të sinqerta”, ndërsa sipas Associated Press, ai i cilësoi ato edhe si të dobishme.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Witkoff dhe Kushner “diskutuan plane substanciale për hapat e ardhshëm” me Putinin. Përmbajtja e këtyre planeve nuk është bërë publike.
BBC raportoi se dy të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump pritet të mbërrijnë të dielën në Kiev, në vizitën e tyre të parë në kryeqytetin ukrainas gjatë këtij procesi diplomatik.
Para takimit, Putin u kërkoi atyre t’ia përcillnin Trumpit përshëndetjet dhe mirënjohjen e tij, ndërsa situatën në Ukrainë e përshkroi si “jo të thjeshtë”.
Në të njëjtën kohë, Moska dhe Kievi janë pajtuar për ndalje të përkohshme të sulmeve ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “Putin ka urdhëruar që të mos kryhen sulme kundër Kievit për tri ditë, duke filluar nga mesnata e sotme”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të vepronte në të njëjtën mënyrë.
“Nga tani deri në fund të së shtunës, si dhe të dielën dhe të hënën, Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës dhe presim që rusët të bëjnë të njëjtën gjë në raport me Kievin”, tha Zelensky.
Ai kishte deklaruar gjithashtu se ishte i gatshëm për “bisedë substanciale” me palën amerikane.
BBC raportoi se të dyja palët kanë dhënë vlerësime përgjithësisht pozitive për takimin, pa bërë publike rezultate konkrete, ndërsa një njoftim për hapat e ardhshëm pritet gjatë javëve në vazhdim.