Kurti, Haxhiu e Gërvalla heshtin për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krimet në lagjen Jashari - NACIONALE

Kurti, Haxhiu e Gërvalla heshtin për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krimet në lagjen Jashari

1 orë më parë

nga NACIONALE

Të premten, Prokuroria Speciale ka bërë një punë të madhe, e cila është “duartrokitur” edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, pasi ka ngritur aktakuzë ndaj 35 të pandehurve, në mesin e tyre edhe Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt. Por, ajo që është për t’u habitur, është se nuk ka pasur asnjë reagim nga krerët e shtetit, tash në detyrë, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti.

Aktakuza prej 140 faqesh, e dorëzuar nga Prokuroria Speciale me në krye Blerim Isufajn dhe prokurorin e rastit, Valdet Gashi, lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Për këtë punë, Prokuroria Speciale u vlerësua edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, si dhe nga drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Por, habitshëm, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk po e thotë asnjë fjalë për një aktakuzë kaq të rëndësishme.

Gjithashtu, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më tani nuk e ka thënë asnjë fjalë për aktakuzën ndaj 35 të pandehurve për vrasjen e civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit, edhe pse ai vazhdimisht ka theksuar vonesën e drejtësisë ndaj urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre, duke thënë se “drejtësia është vonuar sepse nuk ka filluar akoma”.

Më ndryshe s’ka vepruar as u.d. e presidentit, Albulena Haxhiu, e cila nuk ka bërë asnjë reagim ndaj ngritjes së aktakuzës së parë lidhur me masakrën ndaj civilëve të lagjes Jasharaj në Prekaz.

Ndryshe, ngritja e aktakuzës së parë zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 shtator 2026, konsiderohet një kthesë historike në rrugën drejt drejtësisë për krimet e luftës.

Duhet thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për herë të parë, zbardh zyrtarisht në rrugë ligjore prapaskenat, urdhrat dhe strukturën e saktë komanduese të shtetit serb që çoi në masakrimin e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Sipas detajeve të bëra publike nga prokurori i rastit, Valdet Gashi, dhe kryeprokurori Blerim Isufaj, dosja dëshmon këto pika rrëqethëse dhe kyçe lidhur me krimet ndaj civilëve.

Vrasja e qëllimshme e 26 civilëve: Hetimet e mbështetura nga dëshmi personale dhe prova materiale konfirmojnë vrasjen e 26 personave civilë. Prokuroria sqaroi se ky numër specifik përfshin ekskluzivisht fëmijë, gra dhe të moshuar të pambrojtur.

Viktima më e re – vetëm 5 vjeç: Aktakuza dokumenton me saktësi moshën e viktimave, ku ndër më të prekurit ishin fëmijët, duke specifikuar se viktima më e re e ekzekutuar ishte një fëmijë pesë vjeçare.

Marrja e pengjeve dhe tortura: Përveç vrasjeve, dokumenti ligjor vërteton se forcat speciale serbe kanë marrë peng civilë brenda shtëpive të tyre në lagjen e Jasharajve. Këta banorë të pafajshëm u nënshtruan formash të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik

Sulm i paramenduar me arsenal të rëndë: Kryeprokurori Isufaj deklaroi se ngjarjet nuk ishin një incident spontan, por u kryen "me paramendim" dhe "përgatitje të plotë paraprake". Janë identifikuar pozicionet e sakta të forcave serbe, planet e rrethimit dhe arsenali ushtarak i rëndë i përdorur mbi infrastrukturën civile

Roli i Milorad Ulemek "Legija": Dosja e ngarkon drejtpërdrejt komandantin famëkeq të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO), "Legija", si udhëheqësin e njësisë në terren që mori përsipër sulmin e drejtpërdrejtë dhe asgjësimin brenda shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.

Faza e vëzhgimit: Provat tregojnë se lagjja e Jasharajve kishte qenë nën vëzhgim të rreptë e të pandërprerë nga strukturat serbe që nga janari i vitit 1998, duke dëshmuar qëllimin e pastër shtetëror për eliminim.

Lajme të ngjashme