Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen Jasharaj në Prekaz - NACIONALE

Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen Jasharaj në Prekaz

1 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në hetimin e krimeve të luftës, duke ngritur aktakuzë ndaj 35 të pandehurve lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik.

“Sot, Prokuroria Speciale ka marrë një hap të rëndësishëm në përmbushje të mandatit të saj ligjor, duke ngritur aktakuzë për një çështje të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt”, ka thënë Isufaj.

Sipas tij, aktakuza është rezultat i një pune të kujdesshme dhe profesionale, të bazuar në prova dhe në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë, për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt. Tani është kompetencë e gjykatës që të vlerësojë provat e paraqitura, në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë”, tha Isufaj.

Ai shtoi se është i bindur se hetimi është zhvilluar me kujdes dhe përkushtim, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës.

“Si prokuror special, jam i bindur se është punuar me kujdes dhe përkushtim, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës”, ka shtuar Isufaj.

Kryeprokurori tha se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të ndjekë penalisht të gjithë personat për të cilët ekziston bazë ligjore dhe prova të mjaftueshme.

“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe ndjekjes penale të të gjithë personave për të cilët ka bazë ligjore dhe prova të mjaftueshme”, ka deklaruar ai.

Ndërsa për detajet e aktakuzës ka folur, prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se bëhet fjalë për një rast kompleks dhe sfidues, ndërsa theksoi se hetimi është zhvilluar përmes një pune intensive dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera.

Sipas Gashit, provat e siguruara kanë vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe”, tha Gashi.

Ai bëri të ditur se gjatë hetimit janë identifikuar njësitë serbe që morën pjesë në sulm, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve, armatimi i përdorur dhe dëmet e shkaktuara.

“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha prokurori.

Gashi shtoi se gjatë sulmit, pjesëtarë të njësive speciale serbe kishin marrë peng banorë të lagjes Jashari dhe i kishin maltretuar në forma të ndryshme.

Prokurori bëri të ditur se në mesin e strukturave që morën pjesë në operacion ishte edhe Njësia për Operacione Speciale e Serbisë, e cila, sipas tij, drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”.

“Njësinë për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili e ka pasur për obligim dhe detyrë, me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, tha Gashi.

Ai theksoi se detajet e tjera për mënyrën e organizimit të sulmit dhe përgjegjësitë e të pandehurve janë të elaboruara në aktakuzë.

Gashi njoftoi gjithashtu se aktakuza është ngritur në mungesë, pasi Prokuroria Speciale, sipas tij, i ka shterur të gjitha mundësitë për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

Sipas informacioneve që posedon Prokuroria Speciale, të 35 të pandehurit janë ende gjallë.

Nyshe, Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, ish-komandant ushtarak dhe paramilitar serb, i cili konsiderohet një nga figurat më famëkeqe të krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Emri i tij dhe i njësisë së tij lidhet drejtpërdrejt me organizimin dhe ekzekutimin e operacioneve terroriste shtetërore, krimeve ndaj civilëve shqiptarë,

Lajme të ngjashme