Vetëm ShBA-ja voton kundër hartës që e shfaq madhësinë e vërtetë të Afrikës
Kombet e Bashkuara kanë votuar me shumicë dërrmuese të votave për miratimin e një rezolute që bota formalisht ta largojë nga përdorimi hartën tradicionale të Merkatorit dhe ta zëvendësojë atë me një hartë që e paraqet në mënyrë më të saktë madhësinë e Afrikës.
Në një mbledhje në selinë qendrore të saj në Nju-Jork, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zyrtarisht e nxori nga përdorimi projeksionin e Merkatorit të shekullit XVI në favor të një harte që është e mbështetur në dizajnin më të saktë të vitit 2018 të projektit “Equal Earth”, raporton gazeta “The Guardian”.
Në mbledhje, 164 shtete votuan në favor të rezolutës. Vetëm Shtetet e Bashkuara votuan kundër. Përfaqësuesi amerikan tha se rezoluta është “e tepërt”. Gjashtë shtete abstenuan.
Rezolutat e OKB-së nuk janë detyrimisht të zbatueshme, prandaj shtetet dhe institucionet nuk do të jenë të detyruara që ta përdorin vetëm projeksionin e ri e as nuk do t’u ndalohet përdorimi i të vjetrit. Megjithatë, rezultat i votimit pritet të rezultojë në përditësimin e kurrikulave shkollore dhe teknologjisë së përditshme, duke e marrë parasysh përdorimin e gjerë të projeksionit të Merkatorit në arsim, teknologji dhe qeverisje.
Projeksioni i Merkatorit është hartuar nga kartografi flaman, Gerardus Mercator, në vitin 1569, për t’u ndihmuar detarëve që ta gjenin drejtimin në det. Gati pesë shekuj më vonë, ai mbetet standard global.
Megjithatë, për shkak të stilit të projektimit, rajonet afër ekuatorit duken dukshëm më të vogla në hartë sesa janë në të vërtetë, ndërsa zonat më afër poleve duken shumë më të mëdha. Për shembull, harta e Merkatorit e shfaq Afrikën me madhësi të ngjashme me Grenlandën, por kontinenti është 14 herë më i madh se territori danez.