Pelosi besohet se është nisur drejt Tajvanit, rriten tensionet me Kinën
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të martën u largua nga Malajzia dhe pritet që të arrijë në Tajvan, duke i eskaluar tensionet me Kinën, që ishullin vetëqeverisës e cilëson pjesë të territorit të saj.
Aeroplani në të cilin ndodhen Pelosi dhe delegacioni i saj u nisën nga një bazë e forcave ajrore të Malajzisë pas një vizite të shkurtër, ku u përfshi një takim dreke me kryeministrin Ismail Sabri Yaakob, tha një zyrtar në kushte anonimiteti.
Pelosi ka nisur një varg vizitash në Azi këtë javë. Udhëtimi i saj po përcillet me vëmendje të madhe për të parë nëse do ta vizitojë edhe Tajvanin pavarësisht paralajmërimeve të Kinës kundër një veprimi të tillë.
Nuk është e qartë se për ku është nisur aeroplani nga Malajzia, por mediet lokale në Tajvan raportuan se ajo do të arrijë në ishull të martën në mbrëmje, duke u bërë zyrtarja më e lartë amerikane që e viziton Tajvanin në 25 vitet e fundit. Tri gazetat më të mëdha në Tajvan cituan burime të paidentifikuara të kenë thënë se Pelosi do ta kalojë natën në Tajvan.
Ministria e Jashtme e Tajvanit refuzoi që të komentonte. Kryeministri Su Tseng-chang nuk e konfirmoi haptazi vizitën e Pelosit, por tha të martën se “cilido mysafir i huaj dhe ligjvënës miqësor” është “shumë i mirëseardhur”.
Kina, që Tajvanin e cilëson territor të vetin, që mund ta aneksojë edhe me forcë, nëse është e nevojshme, vazhdimisht ka paralajmëruar për hakmarrje në rast të vizitës së Pelosit, duke thënë se ushtria kineze “kurrë nuk ulet e të shikojë kot”.
“ShBA-ja dhe Tajvani kanë bashkëpunuar për të bërë provokime së pari dhe Kina vetëm është detyruar që të veprojë në vetëmbrojtje”, tha të martën në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying.
Ajo shtoi se Kina ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe ka bërë të qartë se “sa e rrezikshme do të jetë, nëse vizita ndodh në të vërtetë”. Çfarëdo kundërmase që Kina do të marrë, do të jetë “e justifikuar dhe e nevojshme” përballë “sjelljes së paskrupull” të Uashingtonit.
Kërcënimet ushtarake të Kinës kanë shkaktuar shqetësim për një krizë të re në Ngushticën e Tajvanit, që i ndan të dyja palët, që mund t’i turbullojë tregjet globale dhe zinxhirët furnizues./Nacionale
