Pas vdekjes së një punëtori në Prishtinë, rikthehet alarmi për sigurinë në punë: 32 punëtorë humbën jetën vetëm në vitin 2025 - NACIONALE

Pas vdekjes së një punëtori në Prishtinë, rikthehet alarmi për sigurinë në punë: 32 punëtorë humbën jetën vetëm në vitin 2025

2 javë më parë

nga NACIONALE

Një tjetër jetë u humb në vendin e punës. Një i ri vdiq të martën (28 korrik) në një kantier ndërtimi në Prishtinë, pasi u godit nga rrëzimi i një vinçi, ndërsa një punëtor tjetër mbeti i lënduar.

Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes problemin e sigurisë në punë në Kosovë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku ndër vite janë regjistruar dhjetëra aksidente me pasoja fatale. Sipas të dhënave të bëra publike nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK), gjatë vitit 2025 kanë humbur jetën 32 punëtorë në vendin e punës.

Aksidenti ndodhi në rrugën “Holger Petersen”, afër rrugës “A”, në Prishtinë, në një punishte ku po zhvilloheshin punimet në fazën e themeleve. Rënia e vinçit rezultoi fatale për punëtorin e ri, ndërsa rasti po hetohet për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë.

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, aksidenti ndodhi gjatë montimit të vinçit në një kantier ku punimet ishin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore njoftoi se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.

Gjatë hetimeve janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe punëtori i lënduar, i cili po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokuroria ka bërë të ditur se janë iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona. Njëri prej tyre, me inicialet A.Sh., dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa B.S., si person përgjegjës i kompanisë ndërtuese, dhe E.E., si përfaqësues i kompanisë investuese të projektit, dyshohen për veprën penale që lidhet me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.

Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar të dhënave për aksidentet në vendin e punës, nga viti 2020 deri në vitin 2025 në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 119 punëtorë.

Sipas këtyre statistikave, në vitin 2020 u regjistruan 15 viktima, në vitin 2021 ishin 14, në vitin 2022 u regjistruan 24 raste fatale, në vitin 2023 humbën jetën 22 punëtorë, në vitin 2024 u raportuan 12 viktima, ndërsa viti 2025 shënoi numrin më të lartë, me 32 punëtorë të vdekur.

Rasti i fundit në Prishtinë e shton edhe më tej bilancin tragjik të aksidenteve në vendin e punës dhe ngre sërish shqetësime për zbatimin e masave të sigurisë, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, ku përdorimi i makinerive të rënda dhe puna në kushte të rrezikshme kërkojnë standarde të larta të mbrojtjes së punëtorëve.

Lajme të ngjashme