Shkelet edhe interpretimi i vetë VV-së: PDK synon kurs të mëtejm veprimi ndaj qeverisjes së “pa ligj” të Kurtit
Vendi gjendet në një terr kushtetues pas shkeljes kushtetuese të afateve për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Kalendar ky i tejkaluar qe më shumë se një muaj.
Kushtetuta, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit u pezulluan si të tilla me Vetëvendosjen, përmes kryesuesit Avni Dehari.
Dehari e thirri vazhdimin e seancës për 9 shtator, pasi afatet e përcaktuara për konstituimin e Kuvendit tashmë ishin konsumuar.
Arsyetimi fillestar i Albin Kurtit kishte qenë se i duhej “më shumë kohë” për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ministrja e tij, Donika Gërvalla, kishte shtuar interpretimin se “janë edhe tridhjetë shtesë” nga thirrja e seancës konstitutive.
Edhe ky interpretim, megjithatë, u shkel nga vetë Vetëvendosja, pasi vazhdimi i seancës u caktua përtej këtij kufiri.
“I kemi 30 ditë për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit, ky është interpretimi ynë,” pati thënë Gërvalla pas shterrimit të afateve kushtetuese.
P;rparim Gruda i PDK-s; kishte paralajmëruar se Vetëvendosja “as për këtë 30 ditësh antikushtetues nuk do ta mbajnë fjalën.”
PDK-ja tash paralajmëron veprime të tjera parlamentare, institucionale dhe juridike, pa treguar se në çka do të konsistojnë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha dje në Kuvend se partia e tij ka shteruar fazën e pritjes dhe kërkesave.
“Prandaj nga sot Partia Demokratike e Kosovës do ta rimendojë mënyrën e veprimit të saj,” deklaroi Hamza.
“Por nuk mund të presim pafundësisht që një pushtet ta respektojë shtetin të cilin është betuar ta qeverisë,” tha ai.
Hamza paralajmëroi se PDK-ja “do shqyrtojë forma të tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik” për ta nxjerrë vendin nga situata.
“Kjo nuk është betejë për pushtet është betejë për kufijtë e pushtetit,” tha Hamza para deputetëve.
Ai shtoi se dilema qendrore është nëse Kosova qeveriset “sipas kushtetutës apo sipas vullnetit të një njeriu”.
“Nga sot fillon një fazë tjetër,” tha Hamza, duke paralajmëruar përdorimin e “të gjitha mjeteve demokratike dhe institucionale”.
Qëndrimi pason veprime të mëhershme të PDK-së dhe Aleancës.
Në një paraqitje të tillë, Gruda kishte thënë se Kushtetuta po trajtohet sikur të ishte “Statuti i Vetëvendosjes”.
“Kushtetuta e Kosovës nuk është Statuti i Vetëvendosjes, ajo nuk mund të interpretohet sipas disponimit të Vetëvendosjes,” kishte deklaruar Gruda.
Në intervista të mëhershme, Gruda kishte këmbëngulur se afatet kushtetuese nuk varen nga vullneti politik i një institucioni apo individi.
Ai kishte thënë gjithashtu se mungesa e një sanksioni të përcaktuar shprehimisht nuk e bën normën kushtetuese të pazbatueshme.
Përballë zvarritjes, Gruda kishte kundërshtuar zgjedhjet e reja, duke thënë: “Unë mendoj që Kosova s’ka nevojë për zgjedhje të reja.”
Sipas tij, dialogu politik duhet të ketë përparësi, por nuk mund të kthehet në arsyetim për bllokim institucional pa afat.
“Dialogu është antidot për protestat,” kishte thënë ai, duke paralajmëruar se dështimi i tij mund të prodhojë mobilizim qytetar.
“Përndryshe, një ditë sheshi ka me u mbushur me qytetarë, plot njerëz,” kishte paralajmëruar Gruda.
Hamza dje e ngriti këtë përplasje në nivel institucional, duke thënë se “durimi ynë institucional nuk duhet të ngatërrohet me pranimin e paligjshmërisë.”
Ai tha se institucionet “nuk janë krijuar për një parti, janë ndërtuar për një shtet”, duke akuzuar pushtetin për bllokim.
PDK-ja nuk ka shpalosur ende hapat konkretë, por Hamza e mbylli fjalimin me paralajmërimin se qasja e partisë ndryshon nga tani.
“Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet,” tha Hamza.