Disa të vdekur në Japoni pas tërmetit me fuqi prej 7,1 shkallësh - NACIONALE

Disa të vdekur në Japoni pas tërmetit me fuqi prej 7,1 shkallësh

2 orë më parë

nga NACIONALE

Një tërmet me fuqi prej 7,1 shkallësh e ka goditur prefekturën jugore të Japonisë, Kumamoto, duke lënë pa rrymë mijëra shtëpi, duke dëmtuar rrugë e duke shkaktuar një shpërthim në një qendër tregtare, ku policia thotë se disa njerëz supozohet se kanë vdekur dhe disa të tjerë mbeten të ngujuar. Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e dridhjeve të tjera të fuqishme.

Rreth 20 deri në 30 punëtorë ishin të zhdukur në qendrën tregtare më të madhe të prefekturës, pasi objekti u godit nga një shpërthim si pjesë e pasojave të tërmetit që ndodhi të martën pasdite, tha televizioni publik japonez, NHK, transmeton televizioni “Al Jazeera”.

Një spital raportoi për më shumë se 50 të lënduar pas tërmetit, ndërsa një spital tjetër tha se kishte pranuar rreth 40 të lënduar, përfshirë 10 që ishin në gjendje kritike, raporton televizioni NHK. Disa persona të tjerë u lënduan, kur dridhjet nxorën nga binarët një tren të shpejtë.

Autoritetet fillimisht kishin lëshuar një paralajmërim për cunami, por kjo masë më vonë u shfuqizua. Autoriteti Rregullues Bërthamor tha se nuk janë regjistruar zhvillime jonormale në tri centrale bërthamore.

“Ne tashmë jemi njoftuar se njerëzit janë lënduar. Ndërprerje të rrymës dhe zjarre kanë ndodhur në disa zona dhe ka pasur gjithashtu dëme ndaj rrugëve dhe urave dhe shembje të ndërtesave. Kërkoj nga secili që të ndërmarrë veprime për ta mbrojtur veten, përfshirë evakuimin në një vend të sigurt” – tha kryeministrja Sanae Takaichi.

Rreth 300 mijë njerëz janë udhëzuar që të shkojnë në qendra evakuimi, tha agjencia për menaxhimin e katastrofave, ndërsa qindra ushtarë janë dislokuar për të ofruar ndihmë për rimëkëmbje.

Trenat e shpejtë Shinkansen dhe trenat lokalë në Kyushu janë pezulluar për kontrolle sigurie, ndërsa hekurudha në Aeroportin “Aso Kumamoto” u mbyll.

Lajme të ngjashme