Administrata e Trumpit planifikon t’i shesë Izraelit 2,8 miliardë dollarë municione, thonë burimet
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke planifikuar që t’i shesë Izraelit një pako municionesh me vlerë të 2,8 miliardë dollarëve, ku do të përfshihen dhjetëra mijëra bomba shkatërruese 900-kilogramëshe, sipas një zyrtari amerikan që ka njohuri rreth kësaj shitjeje.
Shitja e planifikuar, e cila u është komunikuar joformalisht komisioneve përkatëse të Kongresit, të cilat i shqyrtojnë shitjet e mëdha të armëve, përfshin 20 mijë bomba MK 84 dhe 20 mijë bomba BLU-117, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Lajmi për këtë pako u raportua së pari nga gazeta “The Washington Post”. Departamenti i Shtetit i ShBA-së dhe Ambasada e Izraelit në Uashingon nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Mbështetja e publikut amerikan për Izraelin ka rënë që nga fillimi i luftës në Gazë më 2023, sidomos në mesin e demokratëve. Sipas një sondazhi të realizuar në qershor, 48 për qind e votuesve dhe 66 për qind e demokratëve besojnë se ShBA-ja e mbështet tepër Izraelin, dukshëm më shumë se 16, përkatësisht 20 për qind, kur kjo pyetje ishte shtruar për herë të parë në vitin 2017.
Bombat 900-kilogramëshe janë përdorur rregullisht nga Izraeli në Gazë dhe në Liban, duke nxitur vështrime nga ekspertët e të drejtave të njeriut. Më shumë se 73 mijë palestinezë janë vrarë gjatë fushatës ushtarake të Izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë. Një hetim i OKB-së ka përcaktuar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gazë, akuzë që është mohuar nga ky shtet.
Izraeli i quan vetëmbrojtëse veprimet e veta, pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz dhe morën mbi 250 të tjerë peng në sulmin e tetorit të vitit 2023.
ShBA-ja dhe Izraeli e sulmuan Iranin më 28 shkurt. Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik që kanë baza amerikane. Nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe nga sulmet izraelite ndaj Libanit janë vrarë mijëra njerëz e janë zhvendosur miliona.