Biseda me Xi-në, Biden merr paralajmërim të zjarrtë për Tajvanin
Presidenti Joe Biden dhe Xi Jinping i Kinës kanë kaluar më shumë se dy orë në një bisedë telefonike, duke biseduar për të ardhmen e marrëdhënieve të tyre të ndërlikuara, me Tajvanin që edhe këtë radhë u shfaq si një pikë kyçe tensioni.
Sipas një përmbledhjeje të telefonatës së lëshuar nga Pekini, Xi ka theksuar pretendimin e Kinës mbi ishullin,i cili është duke u vetëqeverisur për dekada.
“Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij”, tha Ministria e Punëve të Jashtme, duke shtuar se, "shpresohet që SHBA-të ta shohin qartë këtë.”
Ndërkohë, edhe Shtëpia e Bardhë publikoi përshkrimin e bisedës për Tajvanin, duke thënë se Biden “theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit. ”
Më tej Shtëpia e Bardhë tha se, qëllimi i telefonatës mes liderëve, ishte menaxhimi me përgjegjësi i dallimeve dhe puna e përbashkët në përputhje të interesave.
Ndërsa, si zakonisht, Kina nuk ka lënë asnjë dyshim se fajëson ShBA-në për përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kjo telefonatë u realizua pasi Biden synon të gjejë mënyra të reja për të punuar me Kinën dhe për të frenuar ndikimin e saj në mbarë botën.
Perspektivat e ndryshme mbi shëndetin global, politikat ekonomike dhe të drejtat e njeriut janë disa nga çështjet që kanë testuar prej kohësh marrëdhëniet – me refuzimin e Kinës për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës duke shtuar tendosje të mëtejshme.
Ndërsa, pika e fundit e presionit ka qenë vizita e mundshme e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan, vend që ka një qeveri demokratike dhe merr mbështetje joformale mbrojtëse nga ShBA, por që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj. Pekini ka thënë se një udhëtim të Pelosit atje, do ta konsideronte si një provokim, një kërcënim që zyrtarët amerikanë po e marrin me seriozitet të shtuar në dritën e inkursionit të Rusisë në Ukrainë.
Pelosi do të ishte zyrtarja më e lartë e zgjedhur në ShBA që do të udhëtonte në Tajvan që kur republikani Newt Gingrich vizitoi ishullin në vitin 1997, kur ishte kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Biden dhe Xi folën për herë të fundit në mars, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës.

