CIA: Lufta e Ukrainës po e detyron Kinën që ta rimendojë mënyrën e pushtimit të Tajvanit
Përvoja e Rusisë në Ukrainë po ndikon në llogaritjet e Kinës për mënyrën dhe kohën e pushtimit të mundshëm të Tajvanit, tha të mërkurën shefi i CIA-s, William Burns.
Duke folur në Forumin e Sigurisë, Aspen, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës i mohoi spekulimet se kinez, Xi Jinping, mund të marrë masa për pushtimin e Tajvanit pas një takimi kyç të Partisë Komuniste, që do të mbahet më vonë këtë vit.
“Rreziku për këtë bëhet më i lartë, na duket neve, sa më larg që shkojmë në këtë dekadë”, tha Burns, duke shtuar: “Nuk do ta nënvlerësoja vendosmërinë e presidentit Xi që ta shpallë kontrollin e Kinës mbi Tajvanin.”
Burns tha se Kina është e paqetë, kur e sheh luftën 5-muajshe të Rusisë në Ukrainë, të cilën ai e karakterizoi nga një “dështim strategjik” për presidentin rus, Vladimir Putin, sepse ai shpresonte që ta rrëzonte qeverinë ukrainase brenda një jave, shkruan "The Guardian".
“Ndijimi ynë është që kjo ndoshta e prek më pak pyetjen nëse udhëheqësia kineze, disa vjet gjatë përgjatë rrugës, mund ta zgjedhë përdorimin e forcës për ta kontrolluar Tajvanin, por si dhe kur do ta bënin këtë”, tha Burns.

“Unë dyshoj që mësimi që udhëheqësia dhe ushtria kineze po e nxjerrin është që duhet mbledhur forca dërrmuese, nëse dëshironi që ta planifikoni atë (pushtimin) në të ardhmen”, shtoi ai.
Në linjë me vlerësimet e mëparshme të Shteteve të Bashkuara, Burns tha se vendi i tij nuk beson se Pekini është duke i ofruar përkrahje ushtarake Rusisë pavarësisht nga mbështetja retorike.
Ai tha se Kina e ka shtuar blerjen e energjisë ruse, por duket e kujdesshme për të mos pësuar nga sanksionet perëndimore.
Kina e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të saj që e pret ribashkimin, nëse është nevoja, edhe me forcë.
Duke folur para shefit të CIA-s në forum, ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang, tha se Pekini ende e parapëlqen “ribashkimin paqësor”. Megjithatë, ai i akuzoi Shtetet e Bashkuara për përkrahje të forcave të pavarësisë në Tajvan.
Në maj, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që ta përdorin forcën për ta mbrojtur Tajvanin nga një sulm i mundshëm kinez, duke e zhveshur paqartësinë e gjatë amerikane për atë nëse ShBA-ja do të përfshihej ushtarakisht në konflikt. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë shpejt i kishte zbutur komentet e presidentit amerikan.
Të mërkurën, shefi i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se pret që të bisedojë me homologun kinez brenda dhjetë ditëve./Nacionale