Vuçiqi e bën të ditur datën e dorëheqjes, thotë se do të garojë për një post tjetër të lartë - NACIONALE

Vuçiqi e bën të ditur datën e dorëheqjes, thotë se do të garojë për një post tjetër të lartë

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, politikan populist që ka qenë president ose kryeministër për 12 vjet, tha se do të garojë për kryeministër në zgjedhjet e 25 tetorit, kur mijëra mbështetës të opozitës marshuan në Beograd të hënën.

Vuçiqi është ballafaquar me gati dy vjet protesta kundër korrupsionit, të nxitura nga shembja e kulmit të një stacioni treni ku mbetën të vdekur 16 njerëz në Novi Sad në nëntorin e vitin 2024, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të hënën në mbrëmje, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit për t’i mbështetur kandidatët për deputetë nga lëvizja “Studentët Fitojnë”, që është opozita kryesore. Kandidatët i dorëzuan nënshkrimet e certifikuara të mbështetësve të tyre, hap fillestar për t’u futur në fletëvotim.

Vuçiqi në qershor kishte deklaruar se do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit, por nuk kishte dhënë ndonjë datë, i shpalli zgjedhjet e parakohshme për datën 25 tetor.

“Do të doja t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqje si president. Atë mbrëmje do t’i drejtohem kombit dhe do t’i falënderoj njerëzit për mbështetjen e tyre” – tha ai.

Disa parti opozitare, përfshirë Partinë Demokratike dhe Lëvizjen “Lëvizni Ndryshoni”, janë zotuar se do ta mbështesin lëvizjen studentore dhe nuk do të regjistrojnë kandidatë.

Studentët dhe partitë opozitare i akuzojnë Vuçiqin dhe aleatët e tij për korrupsion dhe kontrollim të mediave. Presidenti serb dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat.

Lajme të ngjashme