Një Kinë më e pasur dhe më e fortë paralajmëron Pelosin që të mos vizitojë Tajvanin - NACIONALE

Një Kinë më e pasur dhe më e fortë paralajmëron Pelosin që të mos vizitojë Tajvanin

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në vitin 1997 kur kryetari i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Newt Gingrich vizitoi Tajvanin, demokracinë ishullore të pretenduar nga Partia Komuniste, Pekini ishte ankuar por shpejtë kishte heq dorë nga acarimi i tij.

Atëkohë, Kina kishte prioritete të tjera. Qeveria e Presidentit Jiang Zemin po përgatitej të festonte kthimin e Hong Kongut dhe donte të dilte nga izolimi diplomatik pas goditjes së marrë nga demonstratat pro-demokracisë në sheshin Tiananmen. E Gingrich, një përforcues i lidhjeve më të ngushta ShBA-Kinë, sapo e kishte ndihmuar atë fushatë duke u takuar me Jiang në Pekin. Prandaj, atëherë Kina shmangu një përplasje përçarëse me Uashingtonin.

Por, një çerek shekulli më vonë, Associated Press shkruan se kushtet kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Tani, qeveria e presidentit kinez Xi Jinping është më e pasur, më e armatosur dhe më pak e gatshme për kompromis mbi Tajvanin, pas raportimeve se Nancy Pelosi mund të bëhet zyrtarja më e lartë e ShBA-së që nga Gingrich që viziton ishullin.

Pekini e sheh çdo kontakt zyrtar me Tajvanin si njohje të qeverisë së tij të zgjedhur në mënyrë demokratike, për të cilën kontinenti thotë se nuk ka të drejtë të mbajë marrëdhënie me jashtë.

Por, tani koha e shton edhe presionin politik, pasi Xi është në përpjekje për të marrë edhe një mandat të tretë pesë-vjeçar si lider i partisë. E një mundësi e tillë mund të zvogëlohet nëse rivalët e akuzojnë Xi-në se nuk ka qëndruar ashpër ndaj vizitës që konsiderohet një provokim amerikan.

Edhe pse Pelosi ende nuk ka konfirmuar nëse do ta vizitojë ose jo Tajvanin, Pekini tashmë ka paralajmëruar për “masa të forta” nëse e bënë këtë.

Shtetet e Bashkuara "nuk duhet të organizojnë vizitën e Pelosit në Tajvan", tha të martën një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes kineze, Tan Kefei.

"Nëse Shtetet e Bashkuara ecin përpara me këtë ide, ushtria kineze nuk do të rri të shikojë pa bërë asgjë. Do të marrë masa të forta për të penguar çdo ndërhyrje të jashtme dhe plane separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial," është shprehur Kefei.

Tan iu referua Pelosit si “Numri 3 në qeverinë e ShBA”, sipas radhës për t'u bërë presidente. Gjë që sugjeron që Pekini e sheh Pelosin si vartëse të presidentit Joe Biden.

Ndërkohë, lidhur me këtë vizitë, Biden ka thënë se ushtria amerikane mendon që “nuk është ide e mirë tani”, megjithatë nuk ka siguruar se nuk do të ndodhë.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë për Associated Press se nëse Pelosi shkon, ushtria amerikane ka të ngjarë të përdorë avionë luftarakë, anije dhe forca të tjera për të siguruar mbrojtje për fluturimin e saj.

“Retorika kineze për këtë është mjaft shqetësuese”, është shprehur kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Gjeneral Mark Milley, për Australian Broadcasting Corp, duke shtuar se: "Nëse na kërkohet, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të siguruar një siguri vizitë.”

Zyrtarët amerikanë poashtu thanë se administrata dyshon se Kina do të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër vetë Pelosit ose do të përpiqet të sabotojë vizitën. Por ata nuk e përjashtojnë mundësinë që Kina mund të përshkallëzojë fluturimet provokuese të avionëve ushtarakë në ose afër hapësirës ajrore dhe patrullave detare të Tajvanit, nëse ky udhëtim ndodh.

Kujtojmë se, Tajvani dhe Kina janë ndarë në vitin 1949 pas një lufte civile që përfundoi me një fitore komuniste në kontinent. Të dyja qeveritë thonë se janë një vend, por nuk pajtohen se cili është lideri kombëtar. E edhe pse palët nuk kanë marrëdhënie zyrtare, ato janë të lidhura me miliarda dollarë tregti dhe investime.

Në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara kaluan njohjen diplomatike nga Taipei në Pekin, megjithatë vazhdojnë te kenë lidhje të gjera tregtare dhe jozyrtare me ishullin. Vetë ligji amerikan e detyron Uashingtonin të sigurohet që Tajvani të ketë mjetet për të mbrojtur veten.

E duke komentuar vizitën e mundshme të Pelosit në Tajvan, një specialist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua, Liu Jiangyong tha se “një vizitë në Tajvan mund të shkaktojë dëm afatgjatë në marrëdhëniet ShBA-Kinë.” Ai shtoi se realizimi i vizitës mund të ndikojë seriozisht edhe në dialogun Biden-Xi për çështjet e tjera.

Lajme të ngjashme