Tsunami bërthamor: Kina në garë me Rusinë, do të prodhojë raketa të ngjashme me Poseidon
Kina ka zbuluar planet për zhvillimin e raketave të frikshme bërthamore , për të cilat shkencëtarët e Pekinit thonë se mund të prodhohen në masë.
Burimet kineze të lajmeve janë mburrur me planet për raketat e reja, duke thënë se do të jenë një përmirësim i dronit bërthamor nënujor të Rusisë, Poseidon, armë të cilën Putini e prezantoi për herë të parë në vitin 2018.
Poseidoni u përshëndet nga Kremlini si droni i parë nënujor me aftësi bërthamore në botë. Ai është projektuar për të anashkaluar mbrojtjen raketore të ShBA-së dhe për të sulmuar objektivat bregdetare. E sipas bazës së të dhënave të trajnimit ushtarak të ShBA-së ODIN, duke përdorur kokën kobalt Poesidon mund të gjenerojë një cunami radioaktiv prej 300 metrash.
Në janar të këtij viti, u raportua se nëndetësja bërthamore "City killer" e Rusisë do të përgatitet për luftë këtë vit, pasi u pa si një "ndryshues i lojës" për forcat e Putinit kur u lëshua për herë të parë në qershor të vitit të kaluar.
Megjithatë, Kina pretendon se, ndryshe nga modeli rus, raketat e tyre do të jenë më të lehta për t'u prodhuar dhe mund të vendosen në një tub standard, në vend që të kenë nevojë për një tub të dizajnuar me porosi.
South China Morning Post, shkruan se “Poseidoni i ngathët dhe i shtrenjtë është shumë i madh dhe i mbifuqishëm për prodhim masiv,” duke shtuar se “është i kufizuar për t'u përdorur si një armë e nivelit strategjik me nëndetësen e misionit special të Rusisë, Belgorod.”

Ndërkohë, studiuesit në Pekin thonë se kanë përfunduar projektimin për reaktorin e vogël bërthamor me kosto të ulët, i cili do të jetë në gjendje të lëshojë një tufë silurësh nëpër Oqeanin Paqësor brenda një jave. Ata thonë se çdo silur do të përdorte një reaktor bërthamor i cili do ta mbante atë në shpejtësinë e lundrimit prej mbi 35 mph për 200 orë përpara se ta hidhte në fund të detit.
Interesting Engineering, më tej raporton se një bateri do të fuqizonte më pas një goditje me armë konvencionale.
Shkencëtari kryesor Guo Jian nga Instituti i Energjisë Atomike të Kinës pohoi në një punim të botuar këtë muaj se ekziston një ndryshim kryesor midis dizajnit të tyre dhe "Poseidon" rus.
“Falë fleksibilitetit të tij të lartë dhe kostos së ulët, ky mjet nënujor pa pilot i pajisur me sistemin e energjisë bërthamore mund të përdoret si një forcë konvencionale, si një nëndetëse bërthamore sulmuese, dhe jo si një raketë bërthamore."
Pretendohet se Poseidoni i Rusisë është i aftë të rrafshojë një qytet të tërë ose një zonë më të madhe duke përdorur armën e tij bërthamore prej dy megatonësh – që është rreth 100 herë më e fuqishme se bomba e hedhur në Hiroshima.
Por studiuesit kinezë thonë se një armë e tillë do të nxiste një luftë bërthamore që do të shkatërronte botën, duke e bërë të pamundur që të zhvillohet ndonjëherë.
Në vend të kësaj, Guo thotë se arma e Kinës do të mund të përdoret "në zbulim, gjurmim, sulm dhe goditje strategjike".

