ShBA-ja ndan edhe 270 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën - NACIONALE

ShBA-ja ndan edhe 270 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë asistencë ushtarake shtesë me vlerë të 270 milionë dollarëve Ukrainës. Në këtë pako do të përfshihen sisteme raketore me rreze të mesme veprimi dhe dronë taktikë.

Grupi i fundit i armëve e çon në 8.2 miliardë dollarë vlerën e përgjithshme të ndihmave ushtarake që Shtetet e Bashkuara ia kanë ofruar Ukrainës. Këto ndihma janë pjesë e pakos së ndihmave ekonomike e të sigurisë me vlerë prej 40 miliardë dollarësh, të miratuara nga Kongresi në maj, shkruan "Associated Press".

Në pakon e re përfshihen katër sisteme raketore HIMARS dhe 580 dronë “Phoenix Ghost. Të dyja këto armë janë jetime dhe u kanë mundësuar ukrainasve që të qëndrojnë në luftime pavarësisht epërsisë së artilerisë ruse, sipas John Kirby-t, bashkërendues i Këshillit për Siguri Kombëtare për komunikime strategjike.

“Presidenti ka qenë i qartë se ne do të vazhdojmë që t’i përkrahim qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj për aq gjatë sa nevojitet”, tha Kirby.

Forcat ukrainase i kanë përdorur raketahedhësit dhe dronët taktikë të ShBA-së për të shkatërruar dhjetëra caqe ruse dhe për t’i mbajtur në largësi forcat ruse, që janë më të shumta dhe më rëndë të armatosura.

Rusia mund të shkrep shumë më shumë municione, por ka pësuar humbje të mëdha të trupave dhe pajisjeve, pasi forcat ukrainase janë pajisur me armatim preciz nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Drejtori i CIA-s, William Burns, tha të mërkurën se ShBA-ja vlerëson se rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë. Kjo shifër do të ishte e ngjashme me humbjet ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik në luftën e viteve të tetëdhjeta në Afganistan, që kishte zgjatur rreth një dekadë.

Ukraina për një kohë të gjatë i ka kërkuar sistemet HIMARS, që hedhin raketa me rreze të mesme dhe mund të zhvendosen para se të mund të bëhen cak i armikut. Të mërkurën u raportua se forcat ukrainase përdorën një sistem raketor HIMARS për të goditur një urë strategjike në rajonin e pushtuar nga Rusia, Kherson.

Autoritetet amerikane do t’i dhurojnë Ukrainës edhe më shumë raketa të kontrolluara, të njohura si GMLRS. Pentagoni vazhdon që ta përjashtojë dërgimin e sistemeve me rreze më të gjatë, të cilat Ukraina do të mund t’i përdorte për sulme thellë brenda territorit rus. Kjo është shenjë se ShBA-ja po mundohet që ta kontrollojë rrezikun që Rusia të nxisë një luftë më të gjerë.

Shtetet e Bashkuara tashmë i kanë dërguar Ukrainës 12 sisteme raketore HIMARS, të cilat janë të montuara në kamionë. Edhe Britania e Madhe ka dhuruar tre raketahedhës të një lloji tjetër, por gjithashtu me raketa GMLRS./Nacionale

Lajme të ngjashme