“Reuters”: Emisari i Putinit dhe AfD-ja e Gjermanisë po përgatisin bisedime për kthimin e gazit rus
Emisari i lartë ekonomik i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqja e partisë gjermane të së djathtës ekstreme, AfD, i kanë filluar përgatitjet për t’u takuar vitin e ardhshëm për ta diskutuar rinisjen e furnizimit të Gjermanisë me gaz nga Rusia, thanë dy persona të afërt me planin.
Diskutimet për një takim në mars i nënvizojnë marrëdhëniet e afërta mes Moskës dhe AfD-së, e cila, edhe pse i është pamundësuar pushteti nga një koalicion i partive rivale, është partia më e popullarizuar në Gjermani sa i përket numrit të votuesve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në këtë takim planifikohet që të marrin pjesë Kirill Dmitrievi, i cili është këshilltar i ngushtë i Putinit dhe i cili e udhëheq fondin e pasurisë sovrane të Rusisë, si dhe bashkudhëheqësit e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, tha njëri nga burimet.
Një zëdhënës i AfD-së dhe një përfaqësues i Dmitrievit refuzuan që të komentonin.
Para hyrjes në fuqi të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022, Rusia ia ofronte Gjermanisë më shumë se një të tretën e importeve të naftës së papërpunuar dhe më shumë se gjysmën e gazit natyror.
Takimi do të zhvillohej vetëm nëse do të arrihej pajtim për një kornizë të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës dhe organizatorët shpresojnë se një gjë e tillë do t’i bënte bashkë AfD-në, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, tha burimi, duke shtuar se vendet e mundshme për këtë samit i përfshijnë Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe ose Indinë.
Në një intervistë me agjencinë “Reuters” në qershor, zonja Weidel e mbrojti përfundimin e bojkotimit të naftës dhe gazit rus në mënyrë që të fuqizohet ekonomia gjermane.
Dmitrievi ishte i pranishëm në një takim këtë muaj në Moskë me përfaqësuesit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Organizatorët shpresojnë se dy emisarët do të marrin pjesë edhe në takimin për gazin, në të cilin do të ekzaminohej rihapja e gypave të gazsjellësit “Nord Stream”, tha burimi.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë “Reuters” se Witkoff-i dhe Kushneri nuk janë të njoftuar për samitin e propozuar e as nuk janë ftuar që të marrin pjesë në të.