Vetura e mbushur me eksploziv e godet xhaminë në Pakistan, së paku 17 të vrarë - NACIONALE

Vetura e mbushur me eksploziv e godet xhaminë në Pakistan, së paku 17 të vrarë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Të paktën 17 njerëz kanë vdekur dhe 73 të tjerë janë plagosur, pasi një automjet i mbushur me lëndë shpërthyese u përplas në një xhami në veriperëndim të Pakistanit, sipas agjencisë së lajmeve të këtij shteti.

Shtatë policë dhe një fëmijë 4-vjeçar janë në mesin e të vrarëve në sulmin që gjithashtu përfshiu persona të armatosur që hapën zjarr brenda një objekti të policisë në qytetin Kohat, raportoi “Associated Press of Pakistan”, transmeton televizioni BBC.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, përmes një deklarate ua shprehu “urimet më të mira për shërim të shpejtë të lënduarve në shpërthim”.

Raportohet se shpërthimi ndodhi rreth orës 13:15 sipas kohës lokale, kur po bëheshin lutjet e së premtes.

Një zëdhënës i policisë tha se shtatë militantë të armatosur u përpoqën që të depërtonin në objektin e policisë pas shpërthimit.

Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, e dënoi shpërthimin.

Aktivitetet e militantëve në zonat kufitare të vendit janë shtuar dukshëm muajve të fundit. Grupet e armatosura po i vënë në shënjestër ushtrinë dhe policinë.

Lajme të ngjashme