Policia njofton për protestën e mbrëmshme: Kryesisht e qetë dhe pa incidente
Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e mbajtur mbrëmë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka kaluar kryesisht e qetë dhe pa incidente.
Pas orës 23:30, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt bazës së EULEX-it, ku qëndruan rreth 30 minuta, ndërsa më pas vazhduan me automjete nëpër disa rrugë të kryeqytetit.
Sipas Policisë, gjatë defilimit janë shkaktuar kolona dhe janë kryer vozitje të rrezikshme, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe vetë protestuesit. Për këtë arsye, policia ndërpreu dhe riorientoi përkohësisht trafikun.
Njoftimi i plotë nga Policia:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të protestës dhe sigurisë së përgjithshme
Prishtinë, më 19 shtator 2026
Edhe mbrëmë me datën 18.09.2026 në ora 21:00, në sheshin " Skënderbeu" në Prishtinë, është mbajtur një protestë e qytetarëve për të shprehur vazhdimin e pakënaqësive të tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së .
Policia e Kosovës me njësitë e saja ka menaxhuar me situatën e sigurisë dhe ka monitoruar situatën gjatë këtyre zhvillimeve, njëkohësisht ka kontrolluar edhe rrjedhën e trafikut në përgjithësi. Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë.
Rreth orës 23:30 pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë, mirëpo një numër i caktuar i tyre kanë vazhduar të zhvendosen në drejtim të bazës së EULEX-it, për të vazhduar me protestën para objektit të këtij institucioni.
Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të defilojnë nëpër disa rrugë të kryeqytetit. Defilimet e tyre me vetura përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre.
Policia e Kosovës, është detyruar që të ndërmarr masa shtesë në trafik, të ndërpres dhe riorientoj përkohësisht trafikun, me qëllim të mbarëvajtjes së sigurt të trafikut dhe shmangies se bllokimeve e aksidenteve të mundshme nga vozitjet e rrezikshme e të pakujdesshme, të cilat kanë zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.
Zyrtarët policor, do të vazhdojë angazhimet e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe respektimin e të drejtës së qytetarëve të vendit për shprehjen e pakënaqësisë së tyre në mënyrë demokratike në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, por njëkohësisht do të ndërmarrë masa ndëshkuesve ndaj atyre që bien ndesh me ligjin dhe ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor.
Policia e Kosovës, FALËNDERON qytetarët për bashkëpunim in dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht APELON që të kenë kujdes të shtuar, të mos dëmtojnë pronën publike e private, të respektojnë ligjet, e në veçanti rregullat në trafikun rrugor sepse është interes i sigurisë së përgjithshme.