Gati 40 minatorë të dyshuar si të paligjshëm vdesin në burg në Nigeri
Tridhjetë e shtatë njerëz të akuzuar për mihje të paligjshme në pjesën veriore të Nigerisë kanë vdekur në ndalim, thonë zyrtarët e shtetit afrikan.
Policia ka filluar një hetim për vdekjen e këtyre personave. Trupat e Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile fajin ia lanë përhapjes së një sëmundjeje, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, një raport i inteligjencës që e ka parë agjencia e lajmeve AFP sugjeron se këta njerëz kanë vdekur për shkak të mbingarkesës së qendrës së ndalimit dhe ajrosjes së dobët brenda objektit.
Vdekja e tyre ka nxitur reagime, përfshirë sulmet ndaj ndërtesave publike, ndërsa autoritetet kanë futur në fuqi orë policore për 24 orë në kryeqytetin rajonal, Minna.
Të martën, një grup i të rinjve u arrestuan nën dyshimin për mihje të paligjshme afër Borgus, pjesë e shtetit Niger, i njohur për mihjen e arit.
Dy ditë më vonë, 37 njerëz u gjetën të vdekur brenda qendrës së ndalimit.
Një i afërm i viktimave, vëllai i të cilit ishte në mesin e të vdekurve, pyeti se si një sëmundje ka mundur të vrasë kaq shumë njerëz pa i prekur edhe rojat e qendrës së ndalimit.