Pentagoni po bën plane në rast se Pelosi shkon në Tajvan pas paralajmërimit të Kinës
Zyrtarët amerikanë thonë se kanë pak frikë që Kina do ta sulmonte aeroplanin e Nancy Pelosi-t, nëse ajo niset për në Tajvan. Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve do të hynte në njërën nga zonat më “të nxehta” në botë, ku një fat i keq, një hap i gabuar ose një keqkuptim do të mund t’ia rrezikonte sigurinë. Prandaj, Pentagoni po zhvillon plane për ndonjë skenar pasigurie.
Zyrtarët i thanë agjencisë “Associated Press” se nëse Pelosi shkon në Tajvan – ende gjë e paqartë -, ushtria amerikane do ta shtonte lëvizjen e forcave dhe aseteve në rajonin e Indo-Paqësorit. Ata refuzuan që të jepnin hollësi, por thanë se, me gjasë, aeroplanë luftarakë, anije, asete vëzhgimi e sisteme të tjera ushtarake do të përdoreshin për të ofruar unaza të mbrojtjes për fluturimin e saj në Tajvan dhe në çfarëdo kohe gjatë qëndrimit në tokë.
Për çfarëdo udhëtimi të jashtëm të zyrtarëve të lartë amerikanë kërkohet siguri shtesë. Por zyrtarët thanë këtë javë se një vizitë në Tajvan nga Pelosi – ajo do të ishte zyrtarja më e lartë amerikane që do ta vizitonte Tajvanin nga viti 1997 – do të shkonte përtej masave të zakonshme të sigurisë për udhëtimet drejt destinacioneve më pak të rrezikshme.
I pyetur për hapat e planifikuar ushtarakë për ta mbrojtur Pelosin në rast të vizitës, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, tha të mërkurën se diskutimi i çfarëdo udhëtimi specifik është papjekuri. Megjithatë, ai shtoi se “nëse ka një vendim që Kryetarja Pelosi ose kushdo tjetër të udhëtojë dhe kërkojnë përkrahje ushtarake, ne do ta bëjmë atë që është e nevojshme për të siguruar kryerje të sigurt të vizitës së tyre dhe do ta lë me kaq.”
Udhëtimi i zyrtares së lartë po shqyrtohet në kohën kur Kina i ka eskaluar ato që ShBA-ja dhe aleatët e saj në Oqeanin Paqësor i përshkruajnë si ballafaqime të rrezikshme një me një me ushtritë e tjera për t’i mbrojtur pretendimet territoriale. Në incidente janë përfshirë fluturimet e rrezikshme që i kanë detyruar pilotët ta ndryshojnë drejtimin për ta shmangur përplasjen si dhe pengimin e ekuipazheve ajrore e ujore, përfshirë përdorimin e laserëve verbues dhe makinave për hedhje të ujit.
Zyrtarët amerikanë, që folën në kushte anonimiteti për t’i diskutuar çështjet e ndjeshme të sigurisë, e përshkruan nevojën për të krijuar zona amortizimi përreth Pelosit dhe aeroplanit të saj. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë forca të konsiderueshme në mbarë rajonin, prandaj çfarëdo shtimi i sigurisë do të mund të bëhej kryesisht nga asetet që tashmë ndodhen atje.
Edhe ushtria do të duhej të ishte e përgatitur për ndonjë incident – qoftë edhe një aksident në ajër ose në tokë. Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara do të duhej të kishin kapacitete shpëtimi afër zonës dhe sugjeruan se këtu do të mund të përfshiheshin helikopterët e vendosur në anijet që tashmë gjenden në rajon.
Udhëtimi i Pelosit mund të jetë hije në bisedën e planifikuar me telefon për të enjten mes presidentëve të ShBA-së e Kinës, Joe Biden e Xi Jinping. Javën e kaluar, shefi i Shtëpisë së Bardhë e ngriti shqetësimin për këtë çështje, duke thënë se ushtria amerikane mendon që udhëtimi i Pelosit në Tajvan “nuk është ide e mirë tash për tash”.
Të martën e kaluar, televizioni CNN raportoi se Ministria e Jashtme e Kinës u zotua se do të merrte “masa të vendosura dhe të efektshme”, nëse Pelosi e viziton Tajvanin./Përktheu: Nacionale