Çfarë është politika shumë e ndjeshme e njohur si “Një Kinë”?
Për dekada të tëra, presidentëve amerikanë u është dashur të përballen me një çështje tejet të ndjeshme të njohur si politika "Një Kinë".
Në vazhdim BBC shpjegon se në çfarë konsiston kjo politikë e Kinës.
Çfarë është politika "Një Kinë"?
Është njohja diplomatike e qëndrimit të Kinës se ka vetëm një qeveri kineze. E sipas kësaj politike, ShBA njeh dhe ka lidhje formale vetëm me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e sheh si një provincë të shkëputur me të cilën do të ribashkohet një ditë.
Politika “Një Kinë” është një gur themel i marrëdhënieve kino-amerikane. Përveç kësaj, është gjithashtu një parim themelor i politikëbërjes dhe diplomacisë kineze. Megjithatë, kjo politikë është e ndryshme nga parimi “Një Kinë”, ku Kina këmbëngul se Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e një Kine që një ditë do të ribashkohet me vendin.
E politika e ShBA-së nuk është një miratim i pozicionit të Pekinit dhe në të vërtetë si pjesë e politikës së vet, Uashingtoni mban një marrëdhënie "të fortë jozyrtare" me Tajvanin, duke përfshirë shitjet e vazhdueshme të armëve në ishull, në mënyrë që vendi të mund të mbrohet nga ndonjë sulm i mundshëm.
Edhe pse qeveria e Tajvanit pretendon se është një vend i pavarur i quajtur zyrtarisht "Republika e Kinës", çdo vend që dëshiron marrëdhënie diplomatike me Kinën kontinentale është i detyrur të prishë lidhjet zyrtare me Taipein.
Një gjë e tillë, ka rezultuar në izolimin diplomatik të Tajvanit nga komuniteti ndërkombëtar.
Si lindi kjo politikë?
Lindja e politikës mund të shkojë që në vitin 1949 dhe në fundin e luftës civile kineze. Atëkohë nacionalistët e mundur, të njohur gjithashtu si Kuomintang, u tërhoqën në Tajvan dhe e bënë vendin seli të qeverisë së tyre, ndërsa komunistët fitimtarë filluan të sundonin kontinentin si Republika Popullore e Kinës. Të dyja palët thanë se përfaqësonin të gjithë Kinën.
E që nga ajo kohë, Partia Komuniste në pushtet e Kinës ka kërcënuar të përdorë forcën nëse Tajvani ndonjëherë shpall zyrtarisht pavarësinë, megjithatë vitet e fundit ka ndjekur një rrugë më të butë diplomatike me ishullin
Fillimisht, shumë qeveri, përfshirë ShBA-në, e njohën Tajvanin pas largimit nga Kina komuniste. Por pasi Kina dhe Shtetet e Bashkuara panë një nevojë të ndërsjellë për të zhvilluar marrëdhëniet, nga vitet 1970 erërat diplomatike u zhvendosën, me ShBA-në dhe vendet e tjera që ndërprenë lidhjet me Taipein në favor të Pekinit.
Megjithatë, shumë prej tyre vazhdojnë të mbajnë ende marrëdhënie joformale me Tajvanin përmes zyrave tregtare ose instituteve kulturore, ndërsa ShBA-ja mbetet aleati më i rëndësishëm i sigurisë së Tajvanit.
Kur u pajtuan ShBA-të me këtë politikë?
Pas viteve të ngrohjes së marrëdhënieve, ShBA nën presidentin Jimmy Carter vendosi lidhje zyrtare diplomatike me Pekinin në vitin 1979.

Si rezultat, ShBA-së iu desh të ndërpresë lidhjet me Tajvanin dhe mbylli ambasadën në Taipei. Por në të njëjtin vit miratoi edhe Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili garanton mbështetjen për ishullin.
Në mënyrë thelbësore, ky akt thotë se ShBA duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrohet – e kjo është arsyeja pse ShBA vazhdon t'i shesë armë Tajvanit.
ShBA gjithashtu ka thënë se këmbëngul në zgjidhjen paqësore të dallimeve midis dy palëve dhe inkurajon të dyja palët të ndjekin "dialog konstruktiv".
Kush janë fituesit dhe humbësit?
Padyshim që nga kjo politikë Pekini ka përfituar më së shumti, duke e hedhur Tajvanin në një shkretëtirë diplomatike.
Tajvani nuk njihet si një vend i pavarur nga pjesa më e madhe e botës e as nga Kombet e Bashkuara. Vendit i duhet t’i nënshtrohet shtrembërimeve të jashtëzakonshme të emrave vetëm për të marrë pjesë në ngjarje dhe institucione si Lojërat Olimpike dhe Organizata Botërore e Tregtisë.
Por edhe në izolimin e tij, Tajvani nuk ka humbur plotësisht. Vendi mban lidhje të gjalla ekonomike dhe kulturore me fqinjët dhe përdor marrëdhëniet e saj afatgjata me ShBA-të për të nxjerrë koncesione.
Sa i përket ShBA-së, ajo mund të përfitojë nga marrëdhëniet formale me Kinën - huadhënësi i saj më i madh i huaj dhe një partner kryesor tregtar - ndërkohë që në heshtje vazhdon të mbajë lidhje të forta me Tajvanin.
Pra, politika Një Kinë është një akt delikat balancues që ShBA e ka përsosur gjatë dekadave. E se si mund të vazhdojë Uashingtoni më tej, mbetet për t'u parë.


