Tensionet ShBA-Kinë mbi Tajvanin, ku qëndron BE-ja? - NACIONALE

Tensionet ShBA-Kinë mbi Tajvanin, ku qëndron BE-ja?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pekini ka paralajmëruar për një përgjigje ‘ushtarake’ nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi viziton Tajvanin këtë javë.

Sipas diplomatëve të lartë, POLITICO shkruan se, lufta e përkeqësuar me fjalë midis ShBA-së dhe Kinës për Tajvanin "mund të përshkallëzohet lehtësisht" dhe është nën vëzhgimin e afërt të kryeqyteteve evropiane.

Ndërsa, Pekini ka shtuar kërcënimet e tij për një vizitë të mundshme të Pelosit në Tajvan, tensionet mes dy superfuqive më të mëdha në botë po vazhdojnë të rriten.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së, nga Brukseli në Paris, kanë hezituar të peshojnë mosmarrëveshjen në publik, edhe pse Kina i afrohet rrezikut të një përplasjeje ushtarake me ShBA-në. Pa çka se diplomatët evropianë e pranojnë ekzistencën e një rreziku që situata mund të dalë jashtë kontrolli.

E tani, analistët janë duke u bërë thirrje liderëve të BE-së që t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj situate dhe të jenë të përgatitur për telashet e ardhshme.

"Skenarët e rasteve më të këqija, ndonjëherë ndodhin," kështu është shprehur Boris Ruge, nënkryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, duke përmendur si shembull pushtimin rus të Ukrainës. Ai ka shtuar se, “evropianët do të bënin mirë të përgatiteshin për situatat e paparashikuara, duke mbështetur Tajvanin dhe duke mbetur në kontakt të ngushtë me Pekinin për të ndihmuar në uljen e tensionit.”

Kujtojmë se, të dielën Pelosi njoftoi për turneun e saj në Azi, e një ndalesë e përfolur në Tajvan – e cila ka provokuar një reagim të ashpër nga Pekini, nuk është përmendur në itinerarin e saj zyrtarë, por megjithatë ende ka gjasa të ndodhë.

Kina këmbëngul se një vizitë në Tajvan nga Pelosi do të ishte një shkelje e hapur e politikës "një Kinë" që rregullon statusin e territorit dhe një sinjal i mbështetjes amerikane për pavarësinë e Tajvanit.

Gjatë një telefonate të tensionuar me presidentin amerikan Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping ka nënvizuar qëndrimin e tij duke thënë se: "Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij."

Poashtu ministria e Mbrojtjes e Kinës ka paralajmëruar se “ushtria kineze nuk do të rrijë kurrë duarkryq” nëse udhëtimi i Pelosit vazhdon në Taipei.

Ndërkohë, Britania e Madhe ka sugjeruar armatosjen e Tajvanit, duke paralajmëruar se Perëndimi nuk duhet të bëjë të njëjtat gabime në dështimin për t’u dalë në mbrojtje tajvanezëve siç ka bërë me Ukrainën. E ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock kohët e fundit e ka përshkruar "paraqitjen me vetëbesim dhe mbi të gjitha të fuqishme të Kinës" në lidhje me Tajvanin si "një sfidë globale".

Megjithatë, në publik shumica e kryeqyteteve të tjera evropiane kanë qenë më të kujdesshme me komentet e tyre. Ministria e Jashtme franceze dhe krahu i politikës së jashtme të BE-së nuk kanë dashur të komentojnë situatën. Më një diplomat nga BE që u shpreh se në këtë fazë heshtja është e pritshme, marrë parasysh se Tajvani konsiderohet një interes i ShBA-së. Por ai shtoi se “nëse fjalët bëhen vepra, reagimi i BE-së do të jetë ndryshe”.

BE po vëzhgon nga afër

I pyetur nëse tensionet janë një shqetësim për NATO-n, një diplomat i lartë evropian tha: "Ende jo, por mund të përshkallëzohet lehtësisht", duke shtuar se “rasti më i keq do të bënte që vëmendja amerikane të largohej nga Ukraina e të vendosej te tensionet me Kinën”.

Ndërsa, një diplomat tjetër evropian është shprehur se “rreziku i përplasjes midis Uashingtonit dhe Pekinit po vëzhgohet nga afër”.

Urmas Paet, një nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, u shpreh se lufta në Ukrainë ka rritur rrezikun e agresionit kinez ndaj Tajvanit "në mënyrë eksponenciale".

“Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të jetë në gjendje të mbajë një sy në veprimet e Kinës, përfshirë në lidhje me Tajvanin,” tha Paet, duke shtuar se, “bashkëpunimi i plotë midis BE-së dhe ShBA-së është shumë i rëndësishëm si në aspektin e agresionit rus kundër Ukrainës, ashtu edhe në lidhje me veprimet e Kinës ndaj Tajvanit”.

Deri relativisht kohët e fundit, Evropa ka shmangur të flasë për Tajvanin – një ishull demokratik prej 23 milionë banorësh që Pekini pretendon se është pjesë e Kinës.

Pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë politikëbërësit evropianë të mendojnë mbi pasojat e paimagjinueshme të vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj ekonomisë së dytë më të madhe në botë, nëse Pekini bën ndonjë lëvizje ushtarake kundër Tajvanit.

“Në rast të një pushtimi ushtarak, ne e kemi bërë shumë të qartë se BE-ja, me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, do të vendosin masa të ngjashme apo edhe më të mëdha se sa kemi marrë tani kundër Rusisë”, ka deklaruar në fillim të këtij muaji, ambasadori i ardhshëm i BE-së në Kinë Jorge Toledo.

Lajme të ngjashme