Paralajmëron OKB: Bota është një hap larg “asgjësimit bërthamor”
Shefi i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar të hënën se “njerëzimi është vetëm një keqkuptim apo një llogaritje e gabuar, larg asgjësimit bërthamor”.
Komentet e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, erdhën në hapjen e takimit të nivelit të lartë për rishikim të traktatit historik 50-vjeçar që synon parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe përfundimisht një botë për armë bërthamore.
Associated Press shkruan se, në fjalimin e tij, Guterres foli në veçanti për luftën ne Ukrainë dhe kërcënimet me armë bërthamore për konfliket në Lindjen e Mesme dhe Azi, duke i cilësuar “rajone që shkojnë drejt katastrofës”.
Guterres më tej tha se ky takim është duke u zhvilluar në “një moment kritik për paqen dhe sigurinë kolektive” dhe në një kohë kur “rreziku nga armët bërthamore nuk ka qenë kaq afër që nga kulmi i Luftës së Ftohtë”.
“Konferenca është një mundësi për të marrë masat që do të ndihmojnë në shmangien e fatkeqësive të caktuara dhe për ta vënë njerëzimin në një rrugë të re drejt një bote pa armë bërthamore", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm.
Më tej Guterres poashtu paralajmëroi se “armët gjeopolitike janë duke arritur në nivele të reja,” duke bërë të ditur se në mbarë botën ka më shumë se 13,000 armë bërthamore nga vendet që shpenzojnë qindra miliarda dollarë për to.
Në vazhdim Guterres u bëri thirrje pjesëmarrësve të konferencës të ndërmarrin disa veprime: të përforcojnë dhe riafirmojnë urgjentisht "normën 77-vjeçare kundër përdorimit të armëve bërthamore", të punojnë pandërprerë drejt eliminimit të armëve bërthamore me angazhime të reja për të reduktuar arsenalet, të adresojnë "tensionet në zjarr" në Lindjen e Mesme dhe Azi” dhe të promovojnë përdorimin paqësor të teknologjisë bërthamore.
Traktari i Mospërhapjes i njohur si NPT, është në fuqi që nga viti 1970 me 191 vende që janë anëtare.
Sipas dispozitave të traktatit, pesë fuqitë bërthamore - Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik), Britania dhe Franca - atëkohë ranë dakord të negociojnë eliminimin e arsenaleve të tyre bërthamore një ditë.
Megjithatë, vendet si India dhe Pakistani, të cilat nuk i janë bashkuar traktatit, kanë vazhduar me armët bërthamore. Njëlloj ka vepruar edhe Korea e Veriut e cila fillimisht e kishte pranuar paktin duke u tërhequr pak kohë më vonë.
Besohet se edhe Izraeli, vend jo-nënshkrues i këtij pakti ka një arsenal bërthamor edhe pse nuk e ka pohuar apo mohuar ndonjëherë.



