Tensionet ShBA - Kore e Jugut, Kim është gati të përdorë armët bërthamore
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka paralajmëruar se është gati të përdorë armët e tij bërthamore në rast të ndonjë konflikti të mundshëm me ShBA-në dhe Korenë e Jugut.
Komentet e Kim janë raportuar gjatë ditës nga mediat shtetërore, ndërsa ai ka lëshuar një retorikë të zjarrtë kundër rivalëve për të cilët thotë se po e shtyjnë Gadishullin Korean në prag të luftës.
Associated Press shkruan se, fjalimi i Kim për veteranët e luftës në 69-vjetorin e përfundimit të Luftës Koreane 1950-53 me sa duket kishte për qëllim të nxiste unitetin e brendshëm në vendin e varfër mes vështirësive ekonomike të lidhura me pandeminë. E ndërsa ai i ka kërcënuar gjithnjë e më shumë rivalët e tij me armë bërthamore, vazhguesit thonë se nuk ka gjasa që ai t'i përdorë ato i pari kundër ushtrive superiore të ShBA-së dhe aleatëve të saj.

"Forcat tona të armatosura janë plotësisht të përgatitura për t'iu përgjigjur çdo krize, dhe parandalimi i luftës bërthamore i vendit tonë është gjithashtu i gatshëm të mobilizojë fuqinë e tij absolute me përgjegjësi, saktësisht dhe me shpejtësi në përputhje me misionin e tij," ka qenë deklarata e Kim në fjalimin e të mërkurës.
Ai gjatë fjalimit poashtu ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për "demonizimin" e Koresë së Veriut për të justifikuar politikat e saj armiqësore. Kim ka thënë se stërvitjet e rregullta ushtarake ShBA-Kore e Jugut për të cilat ai pretendon se synojnë Veriun nënvizojnë "standardet e dyfishta" dhe aspektet "gangsterike" të ShBA-së, duke i cilësuar aktivitetet rutinë ushtarake të Koresë së Veriut si provokime ose kërcënime.
Sipas mediave, Kim gjithashtu ka pretenduar se qeveria e re e Koresë së Jugut e presidentit Yoon Suk Yeol udhëhiqet nga "maniakë konfrontimi" dhe "gangsterë" të cilët kanë shkuar më larg se qeveritë e mëparshme konservatore të Koresë së Jugut.
“Të flasësh për veprime ushtarake kundër kombit tonë, i cili posedon armë absolute nga të cilat ata kanë më shumë frikë, është absurde dhe është një veprim shumë i rrezikshëm vetëvrasës”, është shprehur Kim, duke shtuar se, "një përpjekje e tillë e rrezikshme do të ndëshkohet menjëherë nga forca e fuqishme e vendit dhe qeveria e Yoon Suk Yeol dhe ushtria e tij do të asgjësohen."
Ndërkohë, Korea e Jugut ka shprehur "keqardhje të thellë" për kërcënimin e Kim, duke thënë se po ruan një gatishmëri për të përballuar çdo provokim nga Korea e Veriut në "një mënyrë të fuqishme dhe efektive".
Që nga marrja e detyrës në maj, qeveria Yoon ka lëvizur për të forcuar aleancën ushtarake të Seulit me Shtetet e Bashkuara dhe për të forcuar kapacitetin e saj për të neutralizuar kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, duke përfshirë një aftësi sulmi parandalues.

