SHBA dhe aleatët e saj fluturojnë avionë luftarakë mbi ujërat e Gadishullit Korean
Në mes të tensioneve me Korenë e Veriut, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj aziatikë kanë fluturuar sot dhjetëra avionë luftarakë mbi ujërat që rrethojnë Gadishullin Korean, në një shfaqje të forcës.
Fluturimet erdhën pasi zëvendës sekretarja e Shtetit e ShBA-së, Wendy Sherman udhëtoi për në Seul për diskutime me zyrtarët japonezë mbi kërcënimin e vazhdueshëm të Koresë së Veriut, duke paralajmëruar për një kundërpërgjigje "të shpejtë dhe të fuqishme" nëse Veriu vazhdon me një test shpërthimi bërthamor, i cili do të të jetë i pari në gati pesë vjet.
Nëse realizohet, testi mund të jetë një tjetër hap përpara në qëllimin e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un për të ndërtuar një arsenal që mund të kërcënojë në mënyrë praktike aleatët rajonalë të ShBA-së dhe vetë SHBA-në.
Associated Press shkruan se, kjo do të përshkallëzonte një fushatë presioni që synon të detyrojë Shtetet e Bashkuara të pranojnë Korenë e Veriut si një fuqi bërthamore dhe të negociojnë koncesionet ekonomike dhe të sigurisë nga një pozicion fuqie.
E ndërsa administrata Biden është zotuar për sanksione shtesë ndërkombëtare nëse Koreja e Veriut kryen një provë bërthamore, perspektivat për masa të fuqishme ndëshkuese janë të paqarta për shkak të ndarjeve midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
E sot, duke zgjeruar shfaqjet e përbashkëta të fuqisë ushtarake të vendeve, katër avionë luftarakë të SHBA-së F-16 fluturuan në formacion me 16 avionë të Koresë së Jugut.
Fluturimet erdhën një ditë pasi forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut hodhën tetë raketa tokë-tokë në ujërat lindore të Koresë së Jugut.
Vetëm në vitin 2022, Korea e Veriut ka kryer 18 raunde lëshimesh raketash, duke përfshirë shfaqejen e saj të të parë të raketave balistike ndërkontinentale që nga viti 2017.
Që nga marrja e pushtetit në vitin 2011, Kim ka përshpejtuar zhvillimin e armëve bërthamore pavarësisht burimeve të kufizuara dhe nuk ka treguar gatishmëri për të dorëzuar një arsenal që ai e sheh si garancinë e tij më të fortë të mbijetesës.