Danimarka thotë se luftanija ruse hodhi shkëndija drejt helikopterit të saj ushtarak
Danimarka ka akuzuar një luftanije ruse për shkrepjen e dy shkëndijave urgjente në drejtim të njërit prej helikopterëve të saj, i cili ishte duke e përcjellë anijen në Detin Baltik.
Qeveria daneze e ka ftuar në takim ambasadorin rus për incidentin, për të cilin tha se ndodhi gjatë një operacioni “rutinor” vëzhgues të hënën, raporton televizioni BBC.
Kryeministra daneze, Mette Frederiksen, e quajti “të pamatur” veprimin e anijes ruse dhe tha se qëllimi i tij është që “të frikësojë dhe të përçajë”.
Rusia tha se “do ta hetojë tërësisht” incidentin, por i akuzoi helikopterët danezë për kryerje të “manovrave të rrezikshme” afër luftanijeve ruse.
Ky zhvillim erdhi në ditën e njëjtë, kur forcat e NATO-s rrëzuan një dron mbi Lituani në rastin më të ri të sigurisë në krahun lindor të aleancës, ku tensionet mbeten të larta, përderisa lufta e Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon.
Në një deklaratë ku u dhanë hollësi për incidentin në Detin Baltik, forcat e armatosura daneze thanë: “Ndaj njërit prej helikopterëve Fennec të forcës ajrore sot u shkrepën shkëndija gjatë një operacioni rutinor fotografues të një fregate ruse, e cila ndodhej në ujëra ndërkombëtare afër Gedserit.”
Më tej, në deklaratë thuhet se nga dy shkëndijat që u shkrepën në drejtim të helikopterit, njëra kaloi pranë tij.
Ministria e Jashtme e Danimarkës e përshkroi incidentin si “tërësisht të papranueshëm”. Ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, e akuzoi Rusinë për “lëvizje graduale të kufirit për atë që ata e konsiderojnë sjellje të pranueshme”, duke shtuar: “Ajo është diçka që ne nuk mund ta pranojmë.”
Në një deklaratë, ambasadori rus në Kopenhagë, Vladimir Barbin, tha se Moska “do t’i hetojë tërësisht të gjitha rrethanat e incidentit”, por e akuzoi helikopterin danez për “veprime provokuese”.