Kryetarja e AShAK për dënimin e çlirimtarëve: UÇK-ja është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Pula ka bërë një reagim në lidhje me vendimin në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ajo ka thënë se ky vendim “obligon reflektimin mbi mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara”.
“Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive”, ka shkruar ajo.
Tutje, Pula ka thënë se UÇK është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë së Kosovës.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.
Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë”, ka thënë ajo.
Postimi i plotë: