Viti 2022, viti i skandaleve të Agim Ademit
Nëse jeni Agim Ademi, ju do të donit ta harronit patjetër vitin 2022.
Nga rizgjedhja president i Federatës së Futbollit në një kuvend të dyshimtë zgjedhor pa kundërkandidatë dhe pa praninë e mediave; arrestimi nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarit të federatës; gënjeshtrat rreth pezullimit nga UEFA; përpjekjet dëshpëruese për t’i përvetësuar meritat e të tjerëve; rigjykimi i shtyrë te dështimi për ta licencuar federatën e futbollit dhe dyshimet për shpifje dhe shantazh, ky ishte viti i Agim Ademit në realitet.

Në fillim të vitit, më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur programet e tyre. Dyshohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Ky ishte vetëm fillimi i shumë skandaleve të shefit të futbollit kosovar në këtë 12 muajsh.
Arrestimi për sulm ndaj zyrtarit të FFK-së
Më 16 mars, policia e arrestoi dhe e dërgoi Ademin në mbajtje nën dyshimin se e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin e FFK-së, Artan Govori.
Në një reagim në llogarinë e vet në Facebook, Govori - i cili është drejtor për marrëdhënie me jashtë në FFK – e akuzoi Ademin për sulm.
“Sulmi që ndodhi sot ndaj meje...arsye është kjo fotografi të cilën ma kanë bërë persona të angazhuar “të paguar” (nga Agim Ademi),fotografi të cilën Agim Ademi ma dërgon një ditë më parë (ditën e martë me datë 15.03.2022)”, shkroi Govori në mars.
Ademi e kishte mohuar sulmin ndaj Govorit.
Gënjeshtra për pezullimin nga UEFA
Pak ditë më vonë atë muaj, kryetari i FFK-së doli dhe e mohoi me mburrje drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës se UEFA i kishte dërguar letër përmes së cilës konfirmohej pezullimi i tij nga posti i presidentit
“Nuk ka asnjë letër nga UEFA e as nuk ka kërkuar ky institucion pezullimin tim asnjëherë. Nëse dikush e ka atë letër, lë ta bëjë publike”, kishte thënë Ademi në RTK në mars.
Por nuk vonoi shumë dhe vetë UEFA e përgënjeshtroi Ademin në një përgjigje për Gazetën Nacionale, ku konfirmoi se e kishte pezulluar 61-vjeçarin nga ushtrimi i çdo aktiviteti që ndërlidhet me futbollin në vitin 2020, para se ta shfuqizonte më vonë atë vendim të Organit për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB).
“Organi për Kontroll, Etik dhe Disiplinë (CEDB) i UEFA vendosi për këtë çështje më 20 gusht 2020. Megjithatë, ky vendim i CEDB -s nuk është më i vlefshëm ligjërisht, sepse ishte shfuqizuar nga një vendim tjetër i CEDB”, kishte konfirmuar për Nacionalen UEFA.
Më 5 korrik të vitit 2019, Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë. Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm. Por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Supreme në gusht të vitit 2020, e cila urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi.
Pas këtij vendimi të Supremes, UEFA vendosi t’ia shfuqizojë pezullimin mbi dyvjeçar Ademit, duke qenë se ai nuk ishte më i dënuar por në rigjykim tashmë.
Rizgjidhja president i pasfiduar, pa media në një kuvend të dyshimtë zgjedhor.
Në prill, me afrimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për president të shtëpisë së futbollit, Ademi u sigurua që garës t’i futej i pasfiduar dhe ta vazhdonte mandatin për edhe katër vite të tjera, tre muaj para se t’i mbaronte mandati i parë.
FFK-ja ia hodhi poshtë Gramoz Vokrrit kandidaturën për president të shtëpisë së futbollit të Kosovës, duke ia pranuar vetëm Ademit, duke e bërë tejet jo dramatik procesin zgjedhor.
Kjo i hapi rrugë Ademit që më 6 prill të rizgjidhej president për një mandat të dytë katërvjeçar në rrethana të jashtëzakonshme në një kuvend zgjedhor jodemokratik dhe kontrovers pa praninë e mediave dhe i pasfiduar.

Megjithëse Statuti i FFK-së kërkon që votimi të jetë i fshehtë, 42 nga 43 delegatët e pranishëm në kuvend zgjedhor votuan duke e ngritur lart dorën dhe Ademi u rizgjodh president brenda tre minutave. Diçka e paparë deri më tani.
15 delegatë e bojkotuan kuvendin zgjedhor në shenjë proteste, ndërsa gazetarët dhe mediat në përgjithësi nuk u lejuan të marrin pjesë në kuvend dhe madje as të futen në oborrin e objektit të federatës, duke e bërë procesin edhe më jodemokratik.
Heshtje për dhunën por krekosje me sukseset e të tjerëve
Sikur ta kishit vizituar uebsajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 2022, me siguri se gjëja e parë që do t’ju kishte shkuar në mendje është se mos jeni futur gabimisht në uebsajtin personal të Agim Ademit.
Pothuajse të gjitha lajmet në uebsajtin e FFK-së ndërlidhen drejtpërdrejt me Ademin. Agim Ademi në titull dhe Agim Ademi në fotografinë kryesore të lajmit. Tërë kohën.
Ademi ishte përpjekur edhe t’i përvetësonte arritjet historike të Ballkanit në Evropë në vitin 2022. Ai pretendoi se ishte përgëzuar nga presidenti i UEFA-s si njeri me merita të larta për arritjen historike të Ballkanit në Ligën e Konferencës.
“Mora përgëzimet e tij [presidentit Aleksander Ceferin] për kualifikimin e FC Ballkani në fazën grupore të UEFA Conference League, teksa theksoi se ky sukses lidhet me ju si udhëheqës i mirë dhe i përkushtuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë”, shkroi Ademi në Facebook në shtator, ku e postoi një fotografi përkrah shefit të UEFA-s.

Por nëse kthehemi vetëm pak muaj pas, Ademi kishte heshtur për dhunën e tmerrshme që kishte ndodhur në elitën e futbollit kosovar, Superligë, në një ndeshje mes Gjilanit dhe Ballkanit, ku kishte mbetur i lënduar portieri Stivi Frashëri pasi ishte sulmuar nga tifozët vendas që e kishin pushtuar fushën e stadiumit punishte.
FFK-ja është përgjegjëse për organizimin dhe udhëheqjen e garave të futbollit në vend, në bazë të nenit 57 të Statutit të federatës.

Por Ademi edhe si njeriu kryesor i futbollit në vend dhe si udhëheqës i FFK-së nuk u lajmërua fare për dhunën e tifozëve në një stadium që as ata e as futbollistët nuk do të duhej të lejoheshin të luanin, duke qenë se Stadiumi i Qytetit në Gjilani ishte në rindërtim e sipër.
Një vit në rigjykim të pafilluar
Agim Ademi e kaloi tërë vitin 2022 duke qenë në rigjykim për korrupsion që nuk nisi asnjëherë, shpesh për mungesën e tij.
Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”.
Për këtë ai duhej të dilte në rigjykim, por të gjitha tri seancat e caktuara për të këtë vit dështuan, në qershor, në shtator dhe në nëntor.
Dështimi për ta licencuar FFK-në, dyshimet për shpifje e shantazh
Pjesa e fundit e vitit 2022 e ka zënë Ademin edhe me më shumë telashe që ai mund të kishte menduar mbase, pasi po vuan keq për ta licencuar federatën e futbollit në Ministrinë e Sportit.
Për shkak se po dështon t’i plotësojë kushtet për ta marrë licencën e veprimit brenda territorit të vendit, Ademi dyshohet për shantazh dhe shpifje ndaj Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive – i cili vepron nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në një letër dërguar Ademit, Komisioni Vlerësues i MKRS-së e akuzon Ademin se po e paragjykon punën e tij dhe se ka shfaqur tendencë të hapur për shantazh.
“Qasja e tillë përveç që është paragjykuese, është edhe denigruese dhe paraqet tendencë të hapur të shantazhimit, dhe ka për qëllim të bëjë presion në punën e anëtarëve të Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive,” shkruhej në një letër të Komisionit dërguar Ademit në dhjetor.
Në një letër tjetër dërguar shefit të futbollit më vonë, Komisioni Vlerësues paralajmëroi padi ndaj tij, duke e akuzuar për shpifje.
“Në shkresën tuaj të datës 28 dhjetor 2022, duke u përpjekur që përgjegjësinë rreth licencimit të FFK-së ta adresoni padrejtësisht tek KVLFS-ja, FFK-ja ka rrëshqitur edhe në shpifje, duke konstatuar se KVLFS-ja vërejtjet dhe komentet për FFK-në dhe klubet ua ka dërguar të gjitha klubeve dhe mediave”, shkruhet në letrën e KVLFS-së dërguar FFK-së dhe Ademit.
Agim Ademi është futur në vitin 2023 me të njëjtat telashe që e përcollën në vitin 2022.












