Agim Ademi hesht për dhunën e tmerrshme në ndeshjen Gjilani - Ballkani - NACIONALE

Agim Ademi hesht për dhunën e tmerrshme në ndeshjen Gjilani - Ballkani

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga të gjithë njerëzit në botë, mund të kishit hamendësuar se Agim Ademi, si presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, do të ishte i pari që do të dilte me një deklaratë të fortë për ta dënuar dhunën e tmerrshme që ndodhi dje në ndeshjen mes Gjilanit dhe Ballkanit në Gjilan.

Jo vetëm që nuk ishte i pari, por ai ka heshtur plotësisht edhe pse kanë kaluar gati 24 orë qëkur Stivi Frashëri i Ballkanit u sulmua dhunshëm në fushën e lojës nga disa tifozë të Gjilanit, të cilët e pushtuan fushën pasi skuadra e tyre e kishte barazuar rezultatin kundër liderit të Superligës në kohën shtesë, duke e hedhur për toke dhe shkelmuar në kokë portierin 31-vjeçar.

Ndeshja u pezullua dhe portieri shqiptar u dërgua në spital me ambulancë pasi i kishte humbur ndjenjat për disa minuta. Ai u lirua nga spitali të dielën vonë.

Ademi është shumë i gjallë në rrjetin social Facebook, ku e ka një llogari personale përmes të cilës bën njoftime të shpeshta për punën e vet në krye të FFK-së dhe më shumë.

Ai madje e përdor edhe uebsajtin e federatës për të bërë njoftime në vetën e parë, por jo edhe atëherë kur duhet.

Dhuna në Gjilan të dielën, në atë që duhej të ishte një ndeshje shembull në garën për titull në ligën elitare të futbollit kosovar, u dënua ashpër nga shumë, përfshirë edhe nga FFK-ja.

FFK-ja është përgjegjëse për organizimin dhe udhëheqjen e garave të futbollit në vend, në bazë të nenit 57 të Statutit të federatës.

Përgjegjëse pjesërisht për dhunën në Gjilan duhet të mbahet edhe federata, si organizatore e Superligës, e cila lejoi që ndeshja të zhvillohej në një stadium në ndërtim e sipër dhe pa rrethoja mbrojtëse në tribuna, e cila ua mundësoi tifozëve pushtimin e fushës sa hap e mbyll sytë.

Ditë më parë, Ademi ishte mburrur për investime në stadiumet e vendit, përmes një videoje që tregonte për rregullimin e dhomave të zhveshjes, por jo edhe për sigurinë, e cila është më themelorja për zhvillimin e një ndeshjeje me mijëra tifozë.

Dhuna në Gjilan ndodhi vetëm tri ditë para zgjedhjeve kontroverse për president në FFK, ku Ademi do të kërkojë një mandat të dytë, pasi ia hapi rrugën vetes për të kandiduar i vetëm dhe i pa sfiduar, me kandidaturën e Gramoz Vokrrit që nuk u pranua nga komisioni i FFK-së.

60-vjeçari ka histori dhune si shef i futbollit në vend, megjithatë. Ai dyshohet se në shtator të 2019 e kishte sulmuar mbrapa shpinës doktorin e Kombëtares U21 të Kosovës, Mehmet Maxhunin, në parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Dhe së fundmi, muajin e kaluar, Ademi u arrestua dhe u mbajt një natë në paraburgim në stacionin policor në Prishtinë, nën dyshimin për sulm fizik ndaj zyrtarit të FFK-së për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori.

Lajme të ngjashme