“Na e hakuan emailin” – Emailet zbulojnë se Llapi e pranoi borxhin ndaj Clarkut në KAS të Zvicrës, por dështoi ta paguajë
Llapi e kishte bërë një varg arsyetimesh para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Zvicër për dështimin për t’ia paguar një borxh të lartë ish-trajnerit të vet Alan Clark në vitin 2022, sipas emaileve të zbuluara.
Në disa emaile dërguar gjykatës më të lartë sportive në botë, të cilat i ka parë Gazeta Nacionale, drejtuesit e klubit të Superligës së Kosovës e pranojnë se ia kanë një borxh të konsiderueshëm trajnerit jugafrikan, të cilin kanë dështuar t’ia paguajnë deri më sot pavarësisht zotimeve se do ta bënin.
“Ne ju kërkojmë falje për vonesat për t’ju përgjigjur juve, sepse emiali ynë ishte i hakuar”, shkruhej në emailin e Llapit dërguar KAS-it në prill të vitit 2022.
“KF Llapi nuk i ka ikur obligimit që e ka ndaj Alan Clarkut, por kemi pasur shumë vështirësi financiare nga pandemia, dhe kemi qenë në gjendje t’i mbulojmë të gjitha ato, prandaj ne do t’i shlyejmë të gjitha detyrimet bazuar në marrëveshjen që e kemi nënshkruar me zotëri Alan Clark”, shkruhej tutje në email.
Në një emial të dytë të dërguar më vonë në të njëjtin muaj vitin e kaluar, Llapi e pranon se është vonuar për t’ia paguar atij borxhin por arsyetohet se emaili i ishte hakuar.
“Është e vërtetë që ne duhet ta paguajmë zotëri Alan Clarkun dhe e dimë se jemi vonuar për të bërë këtë, por emaili na u hakua... prandaj ju lutem pranojeni pagesën e menjëhershme në llogarinë e tij bankare sipas marrëveshjes”, shkruhej në emailin e dytë.
Por përkundër vendimit të gjykatës në Zvicër, Llapi nuk e ka paguar 43-vjeçarin deri më sot, gjë që e detyroi FIFA-n të enjten t’ia ndalojë klubit nga Podujeva regjistrimin e lojtarëve të rinj deri në pagimin e tërë borxhit.
Tahir Batatina – një nga pronarët e Llapit dhe trajneri i ekipit të parë – konfirmoi për Gazetën Nacionale të premten se klubi do t’ia shlyejë borxhin që i detyrohet trajnerit jugafrikan, megjithëse pretendon se klubi e kishte paguar kesh dhe se gjoja ai e shfrytëzoi mungesën e dëshmive për rrogat e paguara për ta çuar klubin në gjykatë dhe në FIFA.
“Ai e ka shfrytëzuar faktin se ne nuk e kemi paguar përmes bankës. Kur erdhi në fillim ua lut neve, (duke thënë) se s’kam mjete financiare, s’kam si të jetoj. Edhe këto po i kërkon tash ai. Ne e kemi paguar, por jo përmes bankës. Ai e ka shfrytëzuar këtë pjesë dhe normal ligjërisht ai tani thotë se më kanë borxh”, tha Batatina për Nacionale.
Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.
Klubi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.
Clark, i cili ishte ndihmëstrajner i Batatinës shkurtimisht para se emërohej në stolin e të rinjve, i ka quajtur qesharake pretendimet e Batatinës, duke këmbëngulur se nuk ishte paguar asnjëherë me para në dorë.
“Duket se Tahir Batatina paska telashe me të vërtetën dhe me realitetin. Asnjëherë nuk jam paguar kesh nga askush në KF Llapi dhe unë nuk jam punëtori i vetëm që nuk jam paguar. Unë e fitova rastin tim të gjatë dhe të kushtueshëm në gjykatën më të lartë në sport, KAS, falë punës së palodhshme të firmës ligjore RPHS”, tha Clark për Nacionalen të premten.
Ai shtoi: “Tahiri dhe Llapi, përmes sekretarit të klubit Muhamet Rexhepi, e pranuan në dokumente që i dërguan vetë në KAS se ata më kanë borxh mua dhe nuk m’i kanë dhënë pagat. Edhe pse nuk merrja pagë, unë e vazhdoja punën si trajner profesional dhe i zhvillova disa lojtarë të cilët tani po luajnë në dy kategoritë më të larta të futbollit në Kosovë. Për këtë, komentet e Tahirit janë qesharake.”
Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.