Bernard Berisha për situatën në Rusi: S’është diçka për t’u frikësuar, po stërvitemi normalisht - NACIONALE

Bernard Berisha për situatën në Rusi: S’është diçka për t’u frikësuar, po stërvitemi normalisht

10 muaj më parë

nga Ekrem Idrizi

Bernard Berisha thotë se nuk ndihet i frikësuar nga gjendja alarmuese në Rusi dhe se ka stërvitur normalisht me klubin e tij rus Akhmat Grozny edhe sot.

Grupi mercenar “Wagner” i udhëhequr nga shefi i tyre Yevgeny Prigozhni, e nisi një marsh drejt Moskës të premten vonë, duke e akuzuar ushtrinë ruse se i kishte bombarduar ushtarët e tij që po luftonin për Rusinë në Ukrainë.

Dhe derisa e gjithë Rusia u zgjua e tronditur dhe duke u përgatitur për t’u mbrojtur nga ky grup kryengritës, ish-përfaqësuesi i Kosovës i zhvilloi stërvitjet me klubin e tij normalisht rreth 1 mijë e 300 kilometra larg Moskës vijë ajrore.

Duke folur për Gazetën Nacionale, Berisha tha se ka stërvitur sot me klubin si në çdo ditë tjetër normale.

“Të them realisht, ne i kemi vazhduar normal stërvitjet. Situata ka qenë normale, nuk është diçka që duket serioze. Nuk ka pasur asnjë diskutim për këtë në klub dhe stërvitjet kanë shkuar siç është më së miri”, tha Berisha për Nacionalen.

Wagner e mori nën kontroll qytetin e Rusisë, Rostov-on-Don, si dhe i kapi bazat ushtarake në qytetin tjetër Voronezh të shtunën, para se ta ndalte marshin drejt Moskës në mbrëmje, duke thënë se nuk dëshironte gjakderdhje.

Berisha shtoi: “Nuk ka diçka që na bën të frikësohemi.”

Sulmuesi anësor nga Peja po përgatitet në qytetin rus Kislovodsk për sezonin e ri në Premierligën e Rusisë, i cili nis më 21 korrik.

Përgatitjet i kemi filluar që një javë, pas një pauze dyjavore. Çdo gjë po shkon mirë, përgatitjet po ecin mirë, stërvitjet mirë. Falë zotit jam kthyer nga një lëndim dhe gjithçka është në rregull”, tregoi ai.

Berisha, 31 vjeç, theksoi se vendosi të qëndrojë në Grozny, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025, pavarësisht ofertave të shumta që ka pasur këtë verë.

Kam pasur shumë oferta të tjera, por unë më vetë dëshirë kam zgjedhur të qëndroj në klub, në Akhmat edhe për dy vjet, aq sa e kam edhe kontratën.”

Ai i shënoi pesë gola dhe i dha dy asiste për Grozny në 20 paraqitje në sezonin e kaluar.

Berisha i ishte bashkuar Groznyt në vitin 2017 nga një tjetër klub rus Anzhi, vetëm një vit pasi ishte transferuar në Rusi nga Skënderbeu i Shqipërisë.

Berisha nuk ka luajtur për Kosovën që nga viti 2021, kur trajner ishte Bernard Challandes në mungesë të thirrjes dhe thotë se do të donte të luante sërish për dardanët.

I pyetur nga Nacionale nëse e ka përcjell Kosovën në ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024, Berisha nënvizoi: “Natyrisht që e përcjell sepse gjysma e zemrës, apo zemra ime i përket Kosovës. Jam lindur aty dhe ta ndihmoj Kosovën është ëndërr e çdo futbollisti dhe besoj se në këto ndeshje do të kisha mundur ta ndihmoja Kosovën, por duhet të respektohet vendimi që ka marrë trajneri.”

Ai la të kuptohej se kishte pritur të kontaktohej nga tashmë trajneri i shkarkuar Alain Giresse.

Nuk jam kontaktuar nga trajneri, nuk e di arsyen pse nuk më ka kontaktuar. Ndërsa me njerëz të federatës kam biseduar vetëm me Agim Ademin, por bisedat kanë qenë vetëm miqësore, pra nuk kemi folur për kombëtaren apo për mosftesën.”

Kosova e shkarkoi trajnerin francez të martën, një ditë pas disfatës turpëruese të Kosovës kundër Bjellorusisë në Budapest.

Kosova barazoi në tri ndeshjet e para, me Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë, para se të humbte kundër Bjellorusisë, ekipit kombëtar që nuk kishte fituar për më shumë se një vit.

Dardanët kanë rënë në vendin e parafundit në Grupin I kualifikues, me vetëm tri pikë, duke ngelur shtatë pikë larg lideres Zvicra, pesë pikë larg Rumanisë dhe katër pikë larg Izraelit.

Lajme të ngjashme