“Na thanë se ishte djalë i mirë” - Më në fund Llapi detyrohet t’ia paguajë borxhin që s'e pranon ish-trajnerit Clark
Më në fund Llapi ka vendosur t’ia paguajë detyrimisht borxhin që s'e pranon ish-trajnerit të ekipit të të rinjve, Alan Clark, pasi FIFA ia ndaloi regjistrimin e lojtarëve të rinj si pasojë të enjten.
Tahir Batatina – një nga pronarët e Llapit dhe trajneri i ekipit të parë – konfirmoi për Gazetën Nacionale se klubi do t’ia shlyejë borxhin që i detyrohet trajnerit jugafrikan, megjithëse pretendon se klubi e kishte paguar kesh dhe se gjoja ai e shfrytëzoi mungesën e dëshmive për rrogat e paguara për ta çuar klubin në gjykatë dhe në FIFA.
LLapi e ka të ndaluar nga FIFA regjistrimin e lojtarëve të rinj deri në pagimin e borxhit.
“Ai e ka shfrytëzuar faktin se ne nuk e kemi paguar përmes bankës. Kur erdhi në fillim ua lut neve, (duke thënë) se s’kam mjete financiare, s’kam si të jetoj. Edhe këto po i kërkon tash ai. Ne e kemi paguar, por jo përmes bankës. Ai e ka shfrytëzuar këtë pjesë dhe normal ligjërisht ai tani thotë se më kanë borxh”, tha Batatina për Nacionale.
Pretendimet e klubit nga Podujeva i hodhi poshtë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, e cila në janar vendosi se Llapi është i detyruar t’ia paguajë borxhin atij.
Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.
Llapi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.
I pyetur nëse Llapi do t’ia paguajë borxhin përfundimisht, Batatina tha: Nuk është ndonjë telashe ajo. Janë në pyetje 10 minuta, ia kryejmë atë obligim edhe nuk është asgjë. Atë obligim duhet t’ia kryejmë”.
“Atë obligim klubi ia mbyll dhe nuk merrem më të. Nuk ia vlen. Faktikisht, njerëzisht ne nuk i kemi borxh, por ai e ka shfrytëzuar mundësinë që nuk ia kemi qit paratë përmes bankës... sepse më thanë se ishte djalë i mirë dhe kishte punuar në federatë.”
Por pavarësisht se KAS-i e kishte urdhëruar Llapin t’ia shlyente borxhin 43-vjeçarit, dy herë fituesi i Kupës së Kosovës nuk e kishte marrë mundin ta bënte një gjë të tillë.
Si pasojë, Clark e çoi skuadrën e Tahir Batatinës në FIFA, e cila fillimisht e paralajmëroi atë se do të përballej me një varg dënimesh nëse nuk i kryen detyrimet.
Për shkak se Llapi nuk ia lau borxhin Clarkut as pas paralajmërimit nga FIFA, kjo e fundit vendosi të enjten t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht.