S’ka Llap evropian: FIFA e paralajmëron FFK-në që tentoi ta licencojë skuadrën e Batatinës - NACIONALE

S’ka Llap evropian: FIFA e paralajmëron FFK-në që tentoi ta licencojë skuadrën e Batatinës

10 muaj më parë

nga Ekrem Idrizi

Komisioni Disiplinor i FIFA-s i ka kërkuar Federatës së Futbollit të Kosovës ta konfirmojë pezullimin e Llapit edhe në nivel kombëtar, dhe rrjedhimisht të mos e licencojë skuadrën e Tahir Batatinës për garat evropiane.

FIFA e pezulloi Llapin muajin e kaluar, për shkak të një borxhi të lartë që klubi i Superligës së Kosovës i detyrohet ish-trajnerit të ekipit të vet U19 dhe ish-ndihmës trajnerit të ekipit të parë Alan Clark.

Derisa Llapi nuk ka pothuajse asnjë gjasë për ta siguruar një vend që çon në kualifikime për garat evropiane sezonin e ardhshëm, Gazet Nacionale mëson se FFK-ja kishte për qëllim t’i ndihmonte skuadrës nga Podujeva ta marrë licencën e UEFA-s për sezonin evropian 2023/24.

Pronari dhe trajneri i Llapit Batatina është ndër aleatët më të afërt të presidentit të FFK-së Agim Ademi.

Por tani, FIFA i ka kërkuar shtëpisë së futbollit kosovar që ta njoftojë atë brenda tri ditësh për pezullimin e Llapit edhe në nivel kombëtar, mëson Nacionale.

Llapi i ka shkelur rregullat dhe ligjet financiare të UEFA-s në lidhen drejtpërdrejt me licencimin për garat evropiane.

Në letrën e parë nga Nacionale, FIFA po ashtu konfirmoi se rasti i Llapit mbetet i hapur dhe se dy herë fituesi i Kupës së Kosovës e ka të ndaluar të regjistrojë lojtarë të rinj.

Llapi rrezikon edhe dënimin me pikë, nëse vazhdon të mos ia paguajë borxhin ish-trajnerit.

Clark, një trajner jugafrikan, e fitoi rastin kundër Llapit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Zvicër në fund të janarit, për borxhin e papaguar gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit U19 të Llapit.

Por pavarësisht se KAS-i e kishte urdhëruar Llapin t’ia shlyente borxhin 43-vjeçarit, dy herë fituesi i Kupës së Kosovës nuk e kishte marrë mundin ta bënte një gjë të tillë.

Si pasojë, Clark e çoi skuadrën e Tahir Batatinës në FIFA, e cila fillimisht e paralajmëroi atë se do të përballej me një varg dënimesh nëse nuk i kryen detyrimet.

Për shkak se Llapi nuk ia lau borxhin Clarkut as pas paralajmërimit nga FIFA, në prill kjo e fundit vendosi t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht.

Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.

Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.

Lajme të ngjashme