Ekskluzive: FIFA ia ndalon Llapit regjistrimin e lojtarëve vendorë dhe të huaj
Shtëpia e futbollit botëror FIFA edhe zyrtarisht ia ka ndaluar klubit të Superligës së Kosovës, Llapi, regjistrimin e futbollistëve të rinj, i cili mund të përshkallëzohet në dënim më pikë.
FIFA e njoftoi Llapin se nuk do të ketë të drejtë të regjistrojë lojtarë të rinj në afatet e ardhshme kalimtare të futbollistëve.
“Sipas propozimit nga Sekretariati në Komitetin Disiplinor të FIFA-s, shërbimet tona ua konfirmojnë palëve se një ndalesë për regjistrimin e lojtarëve të rinj, vendorë dhe ndërkombëtarë, është vendosur ndaj pranuesit, klubit të futbollit KF Llapi”, thuhet në letrën që FIFA ua ka dërguar palëve të përfshira, të cilën e ka parë Gazeta Nacionale.
Ky dënim ndaj Llapit ka të bëjë me borxhin e majmë që klubi nga Podujeva i detyrohet ish-trajnerit të ekipit të të rinjve Alan Clark.
Llapi rrezikon edhe dënimin me pikë, nëse vazhdon të mos ia paguajë borxhin ish-trajnerit.
Clark, një trajner jugafrikan, e fitoi rastin kundër Llapit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Zvicër në fund të janarit, për borxhin e papaguar gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit U19 të Llapit.
Por pavarësisht se KAS-i e kishte urdhëruar Llapin t’ia shlyente borxhin 43-vjeçarit, dy herë fituesi i Kupës së Kosovës nuk e kishte marrë mundin ta bënte një gjë të tillë.
Si pasojë, Clark e çoi skuadrën e Tahir Batatinës në FIFA, e cila fillimisht e paralajmëroi atë se do të përballej me një varg dënimesh nëse nuk i kryen detyrimet.
Për shkak se Llapi nuk ia lau borxhin Clarkut as pas paralajmërimit nga FIFA, kjo e fundit vendosi të enjten t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht.
Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.
Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.
Llapi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.
Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak kohë më vonë.
Pasi Clark i kishte kërkuar rrogat e papaguara duke u ankuar se familja kishte nevojë për t’u ushqyer, drejtuesit e Llapit i kishin kërkuar atij të kthehej në Afrikën e Jugut për të vdekur nëse ndihej se po vdiste nga uria.