Batatina pasi FIFA e paralajmëron me përjashtim nga Superliga: Fare s’merakosem për atë punë - NACIONALE

Batatina pasi FIFA e paralajmëron me përjashtim nga Superliga: Fare s’merakosem për atë punë

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se nuk brengoset aspak për paralajmërimin që e mori nga FIFA në mesjavë se klubi i tij mund të përballet me dënim të rëndë deri në heqjen e pikëve apo përjashtim nga Superliga, nëse nuk i ia lanë borxhin ish-trajnerit të ekipit të të rinjve.

Shtëpia e futbollit botëror i dërgoi letër Llapit të mërkurën më 1 mars, duke e njoftuar se do t’ia ndalojë blerjen dhe regjistrimin e futbollistëve të rinj, nëse nuk i shlyen detyrimet ndaj ish-trajnerit të ekipit të vet U19, Alan Clark, në një afat të shkurtër kohor.

Por dënimi i Llapit mund të jetë ende më i rëndë nëse klubi vazhdon të këmbëngul në mos pagimin e borxhit.

Dhe Batatina nuk ka shfaqur aspak shqetësim për këtë çështje kur është pyetur nga Gazeta Nacionale.

‘Hiç s’dua m’u marr me atë far pune. Fare nuk brengosem për atë punë, hiç”, tha Batatina.

Jo, jo hiç nuk është telashe”, këmbënguli ai kur u pyet nëse është i vetëdijshëm se mund të përjashtohet nga Superliga.

Clark, një trajner jugafrikan, e fitoi rastin kundër Llapit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Zvicër në fund të janarit, për borxhin e papaguar gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit të të rinjve.

Por pavarësisht se KAS-i e kishte urdhëruar Llapin t’ia shlyente borxhin 43-vjeçarit, klubi nga Podujeva nuk e kishte marrë mundin ta bënte një gjë të tillë.

Si pasojë, Clark e çoi fituesin e Kupës së Kosovës në FIFA, e cila e ka paralajmëruar Llapin – në një email konfidencial që e ka parë Gazeta Nacionale – se do të dënohet nëse nuk ia paguan shumë shpejt borxhin trajnerit jugafrikan.

Nëse Llapi nuk i lanë detyrimet ndaj Clarkut brenda një afati shumë të shkurtër, atëherë FIFA do t’ia ndalojë regjistrimin e lojtarëve derisa borxhi të paguhet plotësisht.

Llapi i ka mijëra euro borxh Clarkut, por shuma e saktë dhe hollësitë e këtij rasti nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.

Borxhet e klubeve ndaj trajnerëve dhe futbollistëve në futbollin kosovar janë një çështje serioz dhe rasti i Clark është dëshmi se përfaqësimi nga njohësit e fushës apo avokatëve është shumë i rëndësishëm që futbollistët apo trajnerët t’i realizojnë të drejtat e tyre dhe të kompensohen për atë që iu takon por iu mohohet nga klubet.

Clark e kishte konfirmuar për Gazetën Nacionale fitimin e rastit kundër Llapit në KAS një muaj më parë.

Jam i kënaqur që drejtësia ka triumfuar dhe shpresoj se përvojat me të cilat unë dhe familja ime u desh të përballeshim nuk do të përballet asnjë bashkëkolegë profesionistë në të ardhmen”, tha Clark për Nacionalen.

Llapi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.

Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak kohë më vonë.

Lajme të ngjashme