Komisioni i Ministrisë së Sportit i akuzon Ademin e FFK-në për shpifje dhe paralajmëron padi ndaj tyre - NACIONALE

Komisioni i Ministrisë së Sportit i akuzon Ademin e FFK-në për shpifje dhe paralajmëron padi ndaj tyre

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive në Ministrinë e Sportit (KVLFS) e ka paralajmëruar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) se do ta padisë në gjykatë, duke e akuzuar për shpifje.

Në një letër dërguar të enjten shefit të FFK-së, Agim Ademi, Komisioni Vlerësues e akuzon shtëpinë e futbollit se shpifu duke pretenduar se KVLFS-ja i kishte shpërndarë tek klubet dhe mediat vërejtët dhe komentet ndaj kërkesës së parë të FFK-së për licencë.

Në shkresën tuaj të datës 28 dhjetor 2022, duke u përpjekur që përgjegjësinë rreth licencimit të FFK-së ta adresoni padrejtësisht tek KVLFS-ja, FFK-ja ka rrëshqitur edhe në shpifje, duke konstatuar se KVLFS-ja vërejtjet dhe komentet për FFK-në dhe klubet ua ka dërguar të gjitha klubeve dhe mediave”, shkruhet në letrën e KVLFS-së dërguar FFK-së dhe Ademit.

KVLFS-ja kërkon urgjentisht nga FFK-ja që të paraqesë të gjitha faktet dhe argumentet që ka në dispozicion për ta vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme këtë akuzë të rëndë. Në të kundërtën jemi të detyruar që të paraqesim denoncimin zyrtar tek gjykata kompetente për shpifje të rëndë ndaj KVLFS-së.

Komisioni po ashtu e akuzon FFK-në se i kishte njoftuar me vonesë të madhe klubet e Superligës për letrën me vërejtje për kushtet e paplotësuara, pavarësisht se detyrohej t’i njoftonte ato menjëherë.

Në vend se FFK-ja ta përcjellë menjëherë tek tetë klubet e Superligës së futbollit shkresën e KVFLS-së të datës 9 dhjetor 2022, ajo këtë e ka bërë vetëm më datën 22 dhjetor, duke ua humbur atyre në këtë mënyrë 13 ditë të kohës së nevojshme për plotësimin e dokumentacionit përkatës. Rrjedhimisht, për çdo vonesë në këtë drejtim përgjegjësia duhet të kërkohet vetëm të FFK-ja dhe askush tjetër.”

FFK-ja nuk është licencuar ende si federatë sportive për shkak se komisioni gjeti se ajo nuk i plotëson shumë prej kushteve të kërkuara me udhëzimin administrativ e futur në fuqi këtë vit.

Shtëpia e futbollit i kishte dërguar vetëm 5 folderë me dokumente për licencim në MKRS, pavarësisht se Ademi kishte thënë në një intervistë se i kishte dërguar 15 folderë.

Për këtë, Komisioni Vlerësues e akuzoi Ademin se e mashtroi publikun, në një letër që ia ka dërguar atij më 23 dhjetor dhe në të cilën Gazeta Nacionale ka qasje, ku po ashtu Komisioni ia përsërit FFK-së kushtet që nuk i ka plotësuar dhe në të cilën kreu i saj akuzohet se po tenton të bëjë shantazh dhe presion tek anëtarët e komisionit.

Kushtet e shumta që FFK-ja s'i plotëson për licencë

Ndër kushtet e para që FFK-ja nuk i plotësoi për të marrë licencë ishte mungesa e një certifikate unike nga gjykata që dëshmon se ndaj kreut të saj nuk është duke u zhvilluar procedurë penale. Ademi është në fakt në rigjykim për sulm dhe kërcënim ndaj një personi.

Kushti tjetër i rëndësishëm që FFK-ja s’e plotëson është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën e mban avokati Taulant Hodaj si ushtrues detyre. Komisioni i kërkon FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.

Federata mori vërejtje edhe për Komitetin Ekzekutiv, i cili i ka vetëm 11 anëtarë, pavarësisht se me Statut të Federatës i kërkohet t’i ketë 13 anëtarë. Një çështje tjetër që FFK-ja duhet ta zgjidhë për të marrë licencën.

FFK-së i mungon edhe një Këshill Mbikëqyrës të punës, të cilin e emëron Kuvendi i anëtarëve të organizatës sportive. Komisioni Vlerësues shprehu habinë se si federata e futbollit s’e ka një të tillë. Ky Këshill është detyrim për çdo federatë sportive me ligjin për udhëzim administrativ.

Komisioni ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është plotësisht i harmonizuar mbi baza ligjore me Kodin Etik e Disiplinor të FIFA-s dhe UEFA-s.

FFK-së i mungon rregullorja anti-doping dhe Komisioni Vlerësues i ka kërkuar asaj t’ia sjellë atë nëse dëshiron të licencohet.

Komisioni ka gjetur mangësi ligjore dhe në Rregulloren e Garave dhe Rregulloren Disiplinore të FFK-së.

FFK-së, sipas Komisionit, i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes, të cilat përmbajnë vendime, procesverbale dhe kontrata, si procesverbali i Kuvendit të Fundit Zgjedhor të FFK-së, ku Ademi u rizgjodh president për një mandat të ri katërvjeçar në maj, duke ua mbyllur derën mediave.

Komisioni Vlerësues i dërgoi të gjitha këto vërejtje në hollësi FFK-së dhe asaj i mbetet tani t’i zgjidhë çështjet për të qenë në gjendje ta marrë licencën për të vepruar si federatë e futbollit në vend.

Për shkak të moslicencimit të FFK-së, futbolli në vend rrezikon kolapsin, pasi klubet e futbollit nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.

Vendimi i komisionit të MKRS-së për të mos iu lëshuar vërtetim për licencim klubeve është një goditje e rëndë për klubet e futbollit, të cilat e shohin atë si burimin kryesor të financimit. Klubet pritej të përfitonin shuma të larta nga ky ligj.

Po ashtu, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji.

Lajme të ngjashme