“E turpshme”: Britania e kritikon Izraelin pas vendimit për të mos e hetuar vrasjen e punëtorëve të ndihmave
Britania, Australia dhe Kanadaja e kanë quajtur “të turpshëm” vendimin e autoriteteve ushtarake izraelite për të mos hapur hetim penal për sulmet ajrore të prillit të vitit 2024 që goditën një autokolonë të automjeteve të ndihmave në Gazë. Nga ato sulme ishin vrarë shtatë punëtorë humanitarë nga organizata me bazë në ShBA, Kuzhina Qendrore Botërore (WCK).
Në mesin e të vrarëve ishin punëtorë nga tri shtete. Rasti kishte nxitur zemërim global, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ky vendim është edhe shumë pak, edhe shumë vonë. Viktimat e këtij incidenti dhe familjet e tyre meritojnë drejtësi dhe llogaridhënie dhe ne do të vazhdojmë që të kërkojmë përgjigje në emrin e tyre. Sulmi ndaj Kuzhinës Qendrore Botërore është njëri nga incidentet e panumërta në Gazë ku nuk ka pasur llogaridhënie” – thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre tri shteteve.
“Në Gazë, punëtorët humanitarë vazhdojnë që të punojnë pa u lodhur për t’i mbështetur civilët që janë në nevojë dëshpëruese, duke e rrezikuar jetën e tyre gjatë punës në kushtet më të rrezikshme. Prapëseprapë, pavarësisht nga armëpushimi i brishtë, Gaza mbetet vendi më vdekjeprurës për të shpërndarë ndihma, me 186 punëtorë humanitarë të vrarë në vitin 2025” – thuhet më tej në deklaratë.
Qeveria e Polonisë të enjten tha se është “shumë e zhgënjyer” dhe bëri thirrje që autoritetet izraelite të bashkëpunojnë në hetimin e Polonisë për incidentin. Damian Sobol, vullnetar nga qyteti Przemysl, ishte në mesin e të vrarëve. Pakënaqësi shprehu edhe Australia.
Në Londër, Zyra e Jashtme tha se Britania është “e tmerruar dhe e zemëruar” për familjet e John Chapman-it, James Henderson-it dhe James Kirby-t, tre shtetasit britanikë që mbetën të vrarë në këtë sulm.
WCK-ja e cila ka shpërndarë ushqim në Gazë gjatë luftës, tha menjëherë pas sulmit vdekjeprurës se ishte koordinuar me ushtrinë izraelite për lëvizjen e veturave të saj, të cilat e kishin mbi kabinë logon e organizatës, që shihej nga ajri.