Dokumenti që e publikoi Agim Ademi është në emër të FFK-së dhe i paplotësuar tërësisht
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka publikuar të hënën një dokument të gjykatës për të cilin pretendon se ia dërgoi Komisionit Vlerësues të Ministrisë së Sportit, i nevojshëm për licencimin e federatës, i cili del të mos jetë në emër të tij si subjekt juridik dhe me mangësi në plotësim.
Në reagimin e tij, shefi i FFK-së Ademi i akuzon mediat për keqinformim, pavarësisht se mediat iu referuan letrës së Komisionit Vlerësues i cili në vërejtjet e tij e kritikoi Ademin se kishte dërguar dokument vize në vend të certifikatës së kërkuar.
“Reagim ndaj dezinformatave që kinse nuk e kam certifikatën nga gjykata që dëshmon se nuk kam dënim të plotfuqishëm”, shkroi Ademi në Facebook në postimin ku e publikoi edhe një dokument dyfaqësh.
Çfarë dokumenti publikoi Ademi?
Ademi – i cili u rizgjodh president i shtëpisë së futbollit në maj në një kuvend kontrovers ku mediat s’u lejuan as te porta e selisë së federatës – e publikoi një certifikatë të gjykatës që dëshmon se ai nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë.
Agim Ademi nuk është i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë, por ai është në rigjykim për sulm dhe kërcënim ndaj një personi.
Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”. Për këtë ai pritet të dalë në gjyq në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Pra, në certifikatën e publikuar nga Ademi është e plotësuar vetëm pika ku tregohet se ai nuk është i dënuar. Por jo edhe dy pikat ku kërkohet të dihet nëse ai është në procedurë penale apo jo, gjë që e bën këtë dokument të paplotësuar në tërësi.

Në vërejtjen që Komisioni ia kishte dërguar FFK-së rreth certifikatës së Ademi, thuhej: "Certifikatë unike nga evidenca personale kundër të cilëve nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe personave të dënuar nga kjo gjykatë".

Po ashtu, Ademi e na nxjerrë dokumentin në gjykatë në emër të FFK-së si subjekt juridik, jo në emër të vetin. Komisioni, në letrën dërguar atij, i kishte kërkuar ta nxirrte dokumentin në emër të vetin si kryetar i federatës.

Përveç këtij dokumenti, FFK-ja kishte marrë vërejtje të shumta për dosjen e mangët me të cilën kishte aplikuar për licencë, e cila nuk iu pranua dhe iu kërkua përmirësim i shumë të metave.
Kushti tjetër i rëndësishëm që FFK-ja s’e plotëson është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën e mban avokati Taulant Hodaj si ushtrues detyre. Komisioni i kërkon FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.
Federata mori vërejtje edhe për Komitetin Ekzekutiv, i cili i ka vetëm 11 anëtarë, pavarësisht se me Statut të Federatës i kërkohet t’i ketë 13 anëtarë. Një çështje tjetër që FFK-ja duhet ta zgjidhë për të marrë licencën.
FFK-së i mungon edhe një Këshill Mbikëqyrës të punës, të cilin e emëron Kuvendi i anëtarëve të organizatës sportive. Komisioni Vlerësues shprehu habinë se si federata e futbollit s’e ka një të tillë. Ky Këshill është detyrim për çdo federatë sportive me ligjin për udhëzim administrativ.
Komisioni ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është plotësisht i harmonizuar mbi baza ligjore me Kodin Etik e Disiplinor të FIFA-s dhe UEFA-s.
FFK-së i mungon rregullorja anti-doping dhe Komisioni Vlerësues i ka kërkuar asaj t’ia sjellë atë nëse dëshiron të licencohet.
Komisioni ka gjetur mangësi ligjore dhe në Rregulloren e Garave dhe Rregulloren Disiplinore të FFK-së.
FFK-së, sipas Komisionit, i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes, të cilat përmbajnë vendime, procesverbale dhe kontrata, si procesverbali i Kuvendit të Fundit Zgjedhor të FFK-së, ku Ademi u rizgjodh president për një mandat të ri katërvjeçar në maj, pa praninë e mediave.
Komisioni Vlerësues i dërgoi të gjitha këto vërejtje në hollësi FFK-së dhe asaj i mbetet tani t’i zgjidhë çështjet për të qenë në gjendje ta marrë licencën për të vepruar si federatë e futbollit në vend.
Për shkak të moslicencimit të FFK-së, futbolli në vend rrezikon kolapsin, pasi klubet e futbollit nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.
Vendimi i komisionit të MKRS-së për të mos iu lëshuar vërtetim për licencim klubeve është një goditje e rëndë për klubet e futbollit, të cilat e shohin atë si burimin kryesor të financimit. Klubet pritej të përfitonin shuma të larta nga ky ligj.
Po ashtu, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji.

