Kolonët izraelitë hynë ilegalisht në zonën afër fshatit, vritet një palestinez 17-vjeçar - NACIONALE

Kolonët izraelitë hynë ilegalisht në zonën afër fshatit, vritet një palestinez 17-vjeçar

1 orë më parë

nga NACIONALE

Koordinatori i një ekipi të sigurisë së një vendbanimi kolonësh qëlloi për vdekje të premten një adoleshent palestinez, pasi një grup i kolonëve (ardhësve) hynë ilegalisht në një zonë në periferinë e një fshati palestinez në jug të Bregut Perëndimor, duke nxitur përleshje me banorët lokalë.

Ky është incidenti më i ri në javët e fundit, kur kolonët kanë hyrë në Zonën B të Bregut Perëndimor, ku izraelitëve u ndalohet hyrja, në atë që u cilësua si “alpinizëm” nga ushtria izraelite, ndërsa “mësymje” nga mediat palestineze, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Muajin e kaluar, kolonët bënë një “alpinizëm” të ngjashëm nëpër fshatin Tel të Bregut Perëndimor, duke nxitur përleshje që rezultuan në vdekjen e dy izraelitëve e katër palestinezëve.

Incidenti i së premtes ndodhi jashtë fshatit Sa’ir. Në pamje shihej një ndërtesë e kapluar nga zjarri, pasi palestinezët thanë se asaj iu vu flaka nga kolonët që po ecnin nëpër zonë.

Kolonët erdhën nga vendbanimi ultra-ortodoks, Metzad. Ushtria izraelite pranoi se kjo ishte një shëtitje e paautorizuar.

Palestinezët filluan të hidhnin gurë drejt kolonëve, tha ushtria izraelite, duke shtuar se në skenë u thirr koordinatori i sigurisë civile në Metzad.

Koordinatori hapi zjarr në drejtim të palestinezëve, duke goditur të paktën dy prej tyre – 17-vjeçarin Karim Shalaldeh, i cili më pas vdiq nga plagët, dhe një 70-vjeçar që është plagosur seriozisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Autoritetit Palestinez.

Policia izraelite tha se ka nisur një hetim për incidentin, përfshirë zbulimin e informatave nëse ndërtesës së kapluar nga zjarri vërtet i ishte vënë flaka nga kolonët. Ushtria tha se trupat “e shpërndanë përleshjen” dhe i përcollën izraelitët deri në dalje të fshatit palestinez.

Paralajmërim: Pamje të ndjeshme

Lajme të ngjashme