Thaçi ynë fliste me Bidenin, Kurti juaj me dy humoristë rusë - NACIONALE

Thaçi ynë fliste me Bidenin, Kurti juaj me dy humoristë rusë

17 orë më parë

nga Col Mehmeti

Noli i madh dikur shkroi se Nëna Shqipëri e kishte të sigurt ekzistencën me djemtë e saj në Amerikë që i dilnin zot me lobim, punë e para, sa edhe Wilsoni të fliste për të. Si fëmijë i Amerikës, edhe shteti i dytë shqiptar e pati këtë fat deri para do vitesh. Kosova e kishte telefonin e hapur në Washington kurdo që binte në zahmet e orë të ligë. Thaçi fliste me Bidenin në një linjë të rezervuar apostofat. Al-biri ynë i shkretë as nuk thirri kënd e as nuk e thirri kush. Për gjashtë vjet, bisedën e vetme e pati me dy humoristë rusë, Vovanin e Lexusin, që iu paraqitën si presidenti i Letonisë. Me Vladimir Kuznetsovin e Aleksei Stolyarovin, dy zdrala Rusie, Al-biri foli për gjithçka, për politikën e madhe, hallet e njerëzimit e thashetheme për të tjerët. Na e kujtoi atë dhinë që kur ia lyen brinat me raki, ajo i lypi mejdan ujkut!

Col Mehmeti

21 gusht 2026 – Si shtet, Kosova njëmend lindi me këmishë siç thuhet popullorçe kur fati i mirë të prin e të përcjell.

Ta kesh në linjë telefonike dikë që ka peshë në Washington është praktikisht më e vlefshme sesa të kesh ushtarë në llogore, iluzione fuqie a kikireza maje plehu.

Më 14 janar 2017, Kosova mund të llogariste në Amerikën e, madje, ta kishte të rezervuar linjën telefonike me zëvendëspresidentin, Joe Biden.

Rënia gibboniane e një qytetërimi kuptohet vetëm kur bëhen krahasime banale mes asaj që ishte lavdia dikur dhe kësaj që është turpi sot.

Nga një vend me të cilin vetë Bideni kishte lidhje emocionale, Kosova u bë një maskaradë ku akte patriotike quheshin zdeshja në brekë e larja në Ujman, ndërtimi i dy urave disametërshe në Saradran e Badoc, përhajrimi i një vade uji në Lupç dhe, po, edhe hapja e dyerve për mërgimtarë në Kuvend.

Evokimet e ish-presidentit Hashim Thaçi, në një bisedë përmes hekurash, janë lënda me të cilën mund të shkruhet historia e re e Kosovës.

Secili nga rrëfimet është interesant, por ai që na ktheu në janarin e 2017-s meriton të ponderohet më thellë.

Bashkë me rrëfimin ne kthehemi me sytë e mendjes në javën e dytë të atij janari kur Beogradi i trimëruar nga Kremlini matet të hyjë në Kosovë me trenin e prodhuar në Rusi.

Një pjesë e madhe në Perëndim, sidomos diplomatët e rysur, ka bindjen se Krimeja po përsëritej me një akt të tillë që dukej nga jashtë si teatral.

Inteligjencat perëndimore përcjellin gjithfarëlloj informacionesh të sakta mbi trenin.

Udhëtarët nuk janë ashtu siç duken. Ka diçka më shumë sesa një trumbë gomerësh që bërtasin ‘Kosova është Serbi’.

Mes atyre që disa ishin veshur me pallto, disa me atlete e të tjerë me petka të zakonshme ka pjesëtarë të njësive speciale të gatshëm që zbarkimin ta kthenin në skena krimeane.

Me fjalët e ish-presidentit Thaçi:

Ishim në prag të shpërthimit të konfliktit, mesdita po kalonte, treni po i afrohej kufirit të Kosovës, trupat kosovare po pozicionoheshin përgjatë kufirit ku pritej të vinte treni. Ishte punë minutash, jo orësh. Ishin alarmuar Uashingtoni dhe Brukseli. Nuk ishte lëvizje lokomotivash në kuptimin teknik, por ishte agresion serbo-rus mbi Kosovën. Informacionet e mekanizmave tanë të sigurisë dëshmonin se nuk ishte as çështje ekskursioni dhe ikonografie, por kishte edhe trupa paramilitare të kamufluar si civilë”.

Nëse me urdhër të Thaçit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës zunë pritë në Leshak, te pikëndalesa e parë ku pritej të vinte treni, rétë e një konfrontimi të armatosur e nxinë mesditën e asaj të diele.

Në orën 4:00, kur drita ende s’kishte zbardhur mirë, treni lëshoi vërshëllimën e nisjes te Glavna železnička stanica buzë Savës, në Beograd.

Çdo kilometër po e sillte më afër e më afër shkëndijëzen që do t’i jepte zjarr një gjakderdhje.

Por llogaritë ishin bërë pa hanxhiun dhe askush në tren, mes dehjeve me këngë e dalldi, nuk e mendonte që Kosova kishte një mik të fortë që tani e kishte marrë telefonin në dorë.

Të sapo hedhura në letër, kujtimet e Thaçit na i rikrijojnë këto momente:

U lidha në telefon me zv.presidentin e ShBA-së, z. Biden; i shpreha shqetësimin dhe vendosmërinë tonë që provokimi i nisur nga Beogradi nuk do te kalojë. Bideni kërkoi nga unë të tregohem i matur, por duke mos mohuar të drejtën për vendimet tona autonome. Më tha se do të fliste me Vuçiqin, do të kërkonte edhe nga ai të sillej përgjegjshëm. Edhe KFOR-i ishte mobilizuar. Nga amerikanët u lehtësua një bisedë telefonike direkte mes meje dhe Vuçiqit, ai i cili do të gabonte do ta bartte edhe përgjegjësinë për shpërthimin e konfliktit. Vuçiqi pranoi të ndalë trenin, unë tërhoqa trupat nga pozicionet. Kështu u evitua KONFLIKTI I RI. Fitoi racionaliteti përballë aventurës”.

Pjesa më e rëndësishme e këtyre ndodhive nuk është tensioni gati kineast i një përplasje të armatosur sipër shinave të një hekurudhe.

Në momentin e dhënë, Kosova në duar mbante një kartë epërore tekqë në zorin më të madh e kishte hapur linjën e telefonit me njeriun e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Diplomacia e shtetit asohere ishte mbase teknikisht po kjo që është sot, me të njejtin rrjet ambasadash e mbase edhe me po këtë limonti që i shquan përfaqësuesit diplomatikë në vendet ku janë akredituar.

Por, epërsia e kësaj diplomacie ishte gjetkë.

Ajo gëzonte respekt maksimal në ShBA dhe ky është psehu që Bideni të merrte në telefon Thaçin – fundja, zëvendëspresidenti babaxhan mbetet i vetmi politikan ndërkombëtar që ishte ndjenjërisht i familjarizuar me Kosovën.

Por, tash e gjashtë vjet ajo nuk e ka një telefon të tillë ku të gjejë derman.

Sapo pushon potera e populizmit, ulurima e turmave dhe egërsia zgjedhore, Kosovën fill e përshkon vetmia e madhe. Izolim gjer në mosqenie.

Kurti, kryeministri ynë tragjiko-komik, mbeti fillikat vetë nën indiferencën bezdisëse në Londër, Berlin, Paris, Romë, Bruksel e Ankara.

Mbi ambasadën e Kosovës në Washington kanë rënë merimangat e neglektit sepse kush nuk e honeps.

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, në anën tjetër, drejtohet prej një ambasadoreje teknike, domëthënë në strategjizimet diplomatike në Washington askush nuk merret më me diçka që quhet Kosovë.

Janë dy realitete që i kundërqëndrojnë njëri-tjetrit jo vetëm me storie e përfundime të ndryshme, por edhe me dy botëra e mendësi të ndryshme.

Edhe kur mobilizohej me takatin e paktë, Kosova e 2017-s kishte prapa vetes njerëzit kyç në ShBA.

Tjetrazi, Kosova e gjashtë viteve të fundit është danse macabre, vallëzim i shkalluar turmash ku u zhduk çdo nocion i realitetit, u krijua bindja e miut që dridh ura e bjeshkë.

Nuk është aspak e çuditshme që karakteri ynë prej budallenjsh albinkurtistë po na e përcakton fatin, siç e gravoi dikur Herakliti me shprehjen e tij lapidarike ἦθος ἀνθρώπῳ δαίμων (ethos anthropo daimon).

Bisedën më të rëndësishme telefonike, Kurti e realizoi vjet me dy mashtrues rusë që iu paraqitën si presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Në vetminë e tij si i refuzuar nga të gjithë, populisti ynë duhet të ketë kërcyer përpjetë nga gëzimi kur çaushët e tij e lidhën në telefon me ‘presidentin’ leton.

Kështu, Kurti foli gjysmë ore me dy të rinj rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Aleksei Stolyarov, që njihen me llagëpët Vovan dhe Lexus.

Dikur Thaçi fliste me Bidenin sesi të bëhej zap inkursioni alla-rus.

Më vonë, erdhi Al-biri ynë që do t’i linte anash krejt planifikimet ditore për të folur me letonin e çuditshëm, të cilën nuk e kuptonte as kur Vovani e Lexusi i ndërronin radhët.

Yryshin e madh Kurti gjithmonë e pati kur e mendoi veten si një superlider që ishte i denjë të fliste për probleme të njerëzimit.

Si dhisë që kur ia lyen brirët me raki i kërkoi ujkut mejdan.

Lajme të ngjashme