Ha ha ha: Kosovë e Shqipëri vihen në lojë prej hakerësh e palaçosh
Kryeministri afatskaduar, Albin Kurti, ra pre e dy mistrecëve rusë. Bashkë me të ra përtokë edhe serioziteti i Zyrës së Kryeministrit që ështe e mbingarkuar me dhjetra njerëz që paguhen për punën e tyre. Por, ky rast nuk është sefte, meqë dinjitarë e titullarë institucionesh shtetërore ndër vite janë bërë pre e paaftësisë së tyre për të verifikuar të vërtetën nga e pavërteta. Një haker serb, në korrik të 2011-s, shpërndau një lajm se gjoja presidenti rumun kishte fyer shqiptarët. Në atë yrysh, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e kishte ftuar vrikthi ambasadorin rumun në Tiranë për të dhënë ‘sqarime’. Bukureshti zyrtar, me të drejtë, ishte zemëruar. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte qenë i vetmi politikan shqiptar që e kishte quajtur ‘gënjeshtër’ këtë lajm.
Col Mehmeti
Vovani dhe Lexusi nuk janë të parët që ia këpusin nga një rreng politikanëve shqiptarë.
Viktima qesharakisht tragjike e rrengut të fundit, kryeministri në largim, Albin Kurti, nuk është i vetmi në këto cic-mice.
Kujtesës kolektive duket se i është përvjedhur një episod i palavdishëm që ndodhi tash e 14 vjet më parë.
Ishte ora 3:55, një pasditë e zakonshme e një të hëne korriku.
Krejt papritur një faqe italiane JulieNews.it afishoi një artikull të njëfarë Costel Antonescu me titull lemeritës “Dichiarazione shock del presidente della Romania” (Deklaratë tronditëse e presidentit të Rumanisë).
Që lexuesi të mos mbahej pezull, nëntitulli i artikullit ishte “Băsescu: Gli slavi albanesi sono ‘merde’” (Băsescu: Shqiptarët janë jashtëqitje).
Përmbajtja e artikullit po dilte të ishte një skandal i vërtetë.
Aty thuhej se presidenti rumun kishte pohuar se “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është një veprim i paligjshëm dhe që shqiptarët janë jashtëqitje si romët” (la dichiarazione unilaterale dell'indipendenza del Kosovo rappresenta un atto illegale e che gli slavi albanesi sono delle merde tali agli zingari.)
Kopjim pas kopjimi në mediat online të kohës, lajmi i përkthyer shpejt e shpejt në shqip mori dhénë.
Tiranë e Prishtinë ulurinin nga tronditja që shkaktonin tituj të ngarkuar me postemocionalizëm “Presidenti rumun fyen shqiptarët”.
Ndërkohë, atje në Bukuresht, presidenti rumun Traian Băsescu as nuk dinte gjë për rastin.
Në Shqipëri e Kosovë pak vetë arrinin t’i vinin gishtin kokës se një president nuk i heq aq lehtë frerin gjuhës së vet. Jo të paktën sa kohë është i arsyeshëm dhe përgjegjësiplotë ndaj popullit dhe Kushtetutës së tij.
I vetmi zë i arsyes në ato ditë të korrikut 2011 ishte kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Nëpërmjet një përgjigjje për gazetarë, ai i kishte qetësuar zemrat e publikut: “Së pari, nuk dua t’i besoj këto lajme. Së dyti, nëse kjo ka ndodhur me të vërtetë, ky është gabim që sidoqoftë nuk duhet të rrezikojë marrëdhëniet tona miqësore me popullin rumun”.
Megjithëse, nëpërmjet burimesh diplomatike, ishte mësuar se bëhej fjalë për një vepër hakerësh serbë, puna e kishte marrë teposhtëzen e mbrapshtisë.
Rrjetet sociale, ende në fëmijërinë e tyre, gëlonin me komente gjithë zemërim, një psikozë që të kujtonte një luftë në prag të shpalljes me Rumaninë, thirrje për hakmarrje, mallkime, parehati.
Trysnia e publikut ishte e tillë që edhe ofiçarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë përvolën mëngët për të “sqaruar” rastin.
Kështu, ambasadori rumun në Tiranë e gjeti veten të ftuar në zyret e Ministrisë për të dhënë “sqarime”.
Në Bukuresht, ndërkohë, filloi hatërmbetja ku, përmes rrugëve zyrtare, u tha që nuk e çmonin “veprimin e pazakontë” të autoriteteve shqiptare sa për të trazuar ambasadorin e tyre për pakogjë.
Reagimi i diplomacisë rumune ishte se përfaqësuesi i tyre në Tiranë ishte “vënë në një pozitë sa për të dhënë llogari për informacione të paverifikuara nga burime të panjohura”, “akt plotësisht i papranueshëm” dhe “qasje që nuk është në harmoni me nivelin e marrëdhënieve të dyanshme” mes dy vendeve.
Një pjesë e madhe e mediave e fshinë artikullin e rrejshëm, e sot edhe me Wayback Machine zor që gjenden gjurmë të tij.
Asokohe, ky incident u fashit në mënyrë diplomatçe, por nuk duket që pësimi të jetë kthyer në mësim.
Stafi që i rrethon presidentët, kryeministrat, kryediplomatët, me fjalë të tjera dinjitarët e titullarët e institucioneve shtetërore në Kosovë e Shqipëri, po i lë dyer e dritare pa kanatet e vëna.
Stafet janë të mbigarkuara me versione bashkëkohore të eunukëve, çaushëve e ‘yes men’-ëve që protokolet institucionale i kompromisojnë sipas disponimit të eprorit.
Ata nuk arrijë të kryejnë as një verifikim minimal se Vladimir Kuznetsov dhe Aleksei Stolyarov janë dy karagjoza rusë që merren me rrengje (pranks) dhe që presidenti i një vendi baltik si Letonia, Edgars Rinkēvičs, nuk është se kanë ndonjë kasavet sa për t’i dëgjuar pallavrat e një kryeministri në ditët e fundit të mandatit të tij.
Me njerëz të tillë, dy shtetet e xhamadanit me vija-vija bëhen gazi i dynjasë.