Fabrika e mitomanisë ose si Vetëvendosja e manipuloi rastin Allaqi - NACIONALE

Fabrika e mitomanisë ose si Vetëvendosja e manipuloi rastin Allaqi

3 orë më parë

nga Col Mehmeti

Kur paraditën e së mërkurës së 16 shtatorit gjyqtari Charles L. Smith III po lexonte me zë të zvargur aktgjykimin kundër krerëve të UÇK-së, plot një faqe iu kushtua rastit të aktivistit nga Prizreni, Behajdin Allaqi (1963-1998). Pas procedimeve të fshehta, Gjykata grosso modo i shndërroi në ‘konstatime’ gjithçka ishte folur në Kosovë në formë spekulimesh të trasha, thashethemesh e shpifjesh. Përmjet një hulumtimi shterues, NACIONALE sjell një historik sesi rasti Allaqi, ç’prej 2012-s e deri më sot, thuajse askund nuk përkon me ndonjë përpjekje për sqarime a drejtësi. Të shqyrtuara kronologjikisht e përmbajtësisht, shumica e shkrimeve për Behajdin Allaqin në dekadën e parë të pasluftës ishin kryesisht të karakterit përkujtimor. Por kur peizazhi politik u radikalizua për të keq nga hyrja e Vetëvendosjes në Kuvend, gjithçka mori kahje tjetër. Do të mjaftonte një fragment memoaristik i Murat Jasharit më 2012 që gazeta ‘Bota Sot’ ta shndërronte në lëndë senzacionaliste për tituj ku përmendeshin vrasje e skema të tilla. Ato me shumë gjasë do të përfundonin të shpërfillura nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përdorte në luftën e saj për pushtet. Kjo mitomani u çua më tej nga ish-ministri i Vetëvendosjes që akuzohet për korrupsion, Liburn Aliu, dhe që sot është drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit. Qysh më 2015, partia e Kurtit e kishte shndërruar Behajdin Allaqin në kauzë gati partiake, njësoj siç do të bënte edhe me Astrit Deharin. Burime të NACIONALE-s brenda Vetëvendosjes tregojnë sesi plani i partisë ishte që familjarë të Allaqit t’i përdornin në protesta për të bërë adresime kundër disa prej krerëve të UÇK-së. Ndonëse oferta të tilla ishin refuzuar prerazi nga ana e familjes, një rast si ky dëshmon se vendimet përpara se të merreshin në Hagë e kishin pasur ‘gjyqin’ në Prishtinë.

25 shtator 2026 – Nga shtatori 1993 deri në janar 1994, profesoresha nga New Yorku, Julie Mertus dhe Vlatka Mihelić kryen intervista të numërta anembanë Kosove me idenë e kronikimit të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Fryt i këtyre hulumtimeve ishte raporti i tyre 148-faqesh ‘Open Wounds: Human Right Absuses in Kosovo’ si botim me siglën e organizatës Human Rights Watch.

Në mesin e rasteve të intervistuara ishte edhe profesori dhe aktivisti nga Prizreni, Behajdin Allaqi.

Duke pasur në sfond arrestimin e tij më 1 gusht 1993 në Prizren, në bisedë me dy autoret e HRW-së, ai rrëfeu se deklaratat e tij inkriminuese të dhëna në policinë jugosllave ishin bërë nën peshën e torturave të pashembullta.

Këtë e kishte thënë, sipas raportit, edhe në seancën e 12 gushtit 1993 te gjykatësi Nikola Vazura (“There, Mr. Allaqi stated that his confession was extracted under torture”).

33 vjet grindje

Kjo dromcë e harruar mund të jetë me rëndësi ose jo, por ajo dëshmon se qysh më 1993 njerëzit kishin filluar të haheshin mes vete duke e bërë me gisht shoqi-shoqin për bashkëpunim me organet represive jugosllave.

Duke përfituar nga zhdukja e pasqaruar e Allaqit në qershor 1998, një pluhnajë thashethemesh të egra do të krijohej rreth tij.

Megjithëkëtë, në botime relativisht metikuloze si ai i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë “Libër Kujtimi i Kosovës 1998-2000”, që e pa dritën e botimit në shtator 2011, ky rast nuk u ngjyros me brushën e mistifikimeve.

Në faqen 482 të botimit në fjalë, të dhënat për Behajdin Allaqin shpalosen si shënime biografike, duke e përshkruar atë si shqiptar nga Prizreni, profesor, baba i tre fëmijëve dhe pjesëtar i UÇK-së.

Sipas FDHK-së, Behajdini nga 11 qershori 1998 nuk u pa më dhe nuk iu lajmërua askujt.

Si u pa Allaqi dekadën e parë pas lufte?

Në vitet që u vargisën pas lufte, Behajdin Allaqi do të përmendej rregullisht edhe në hapësirën virtuale shqiptare.

NACIONALE ka bërë një kërkim shterues për çdo shkrim të afishuar në platformat digjitale që tangenton profilin e tij.

Më i hershmi shkrim i gjurmueshëm është “Rikuiem për luftëtarin e lirisë – Behajdin Allaqi” me autor Binak Berishën.

I botuar më 21 qershor 2007 në faqen e dikurshme ‘Pashtriku.org’, shkrimi përmblidhte një jetëshkrim të aktivistit nga Prizreni, angazhimin e tij brenda LPRK-së, si dhe në fund ngrinte pikëpyetje nëse, pas 11 qershorit, “gjatë rrugës është përleshur me forcat pushtuese serbe”.

Disa ditë më vonë, në po të njejtën platformë, u botua shkrimi me autorësi të Ramadan Avdiut “Behajdin Allaqi ishte veprimtar i devotshëm, strateg dhe mendimtar politik”.

Edhe ky shkrim sipërfaqësonte momente nga veprimtaria e prizrenasit që zuri vend sa në degën e LDK-së për rrethin e Prizrenit, po aq edhe në LP(R)K.

Po në qershor, në faqen ‘Pashtriku’, u afishuan edhe shkrime të tjera me karakter obituar nga njerëz që e kishin njohur Allaqin në të gjallë.

Të tilla janë edhe “Behajdin Allaqi – atdhetar, intelektual e politolog i klasit të parë” me autor Abdullah Abdullahun nga Vjena si dhe ai nga Fazli Veliu “Behajdin Allaqi, një nga ideatorët e konceptit të artë për çlirimin e Kosovës”.

Nga një fragment, në keqinformim dhe fushatë politike

Në tërësinë e tyre, këto shkrime përkujtimore, derisa vinin në spikamë kontributet dhe meritat e aktivistit të zhdukur, nuk bënin asnjë insinuatë se atë e kishte vrarë një dorë shqiptare.

Por më 2012, kur tensioni politik në vend po kreshpërohej gjithnjë e më fort, në mediumet virtuale do të shkrehej një këngë e re.

Më 30 maj të po atij viti, Murat Jashari nga fshati Orizare e Kumanovës te faqja ‘Pashtriku’ do të botonte copëza memoaristike me titull “Nga kujtimet e mia”.

Nga Fribourgi në Zvicër ku jetonte prej kohësh, në një largesë 14 vjeçare prej ngjarjeve, emigranti kundërthënës do të ndërmendte një bisedë me të vëllanë Ismet Jashari (komandant Kumanova).

Me këtë rast, ai ia kishte përmendur Behajdin Allaqin dhe Shaban Shalën.

Anipse fragmentet e tij kujtesore nuk përmbanin asfarë aluzioni për vrasje, ‘Bota Sot’ të nesërmen afishoi titullin bombastik “Si u vra Behajdin Allaqi, çka dinte Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti?”.

Si një tekst i çoroditur gjuhësisht, që prej titullit e deri te përmbajtja fare jogazetareske, fragmentet e Murat Jasharit do të shpërfytyroheshin e do të ktheheshin në akuza për vrasje duke apostrofuar paushallisht njerëz reprezentë të UÇK-së.

Kur VV-ja e rrëmbeu rastin për ta bërë kauzë partie

Atëherë kur pritej që gjithçkaja të përfundonte si një tekst tjetër joprofesional i ‘Botës Sot’, Lëvizja Vetëvendosje do të paraqitej vullnetare për të qepur një histori thrilleri.

Me storien e huazuar nga mediumi i Xhevdet Mazrekajt, kjo parti e ktheu në kauzë kundër kryeministrit të asohershëm, Hashim Thaçi, atë që e quajtën ‘vrasje’.

Ai që e mori me zell këtë çështje ishte Liburn Aliu anipse aktivistin nga Prizreni nuk e kishte njohur e as takuar kurrë.

Më 28 qershor 2013, si deputet i VV-së mbajti një tiradë të gjatë në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Në fjalim e sipër, ai ngriti gishtin e akuzës ndaj Thaçit për rastin e Allaqit.

Përtej tonit të lartë, fjalimi sidoqoftë nuk sillte ndonjë gjë të re pos insinuimeve që ishin botuar te ‘Bota Sot’.

“Ajo më e ndjeshmja në tërë luftën tonë është çështja e dëshmorit Behajdin Allaqi. Të gjithë e dini se për çka po flas dhe Hashim Thaçi më së miri. Behajdin Allaqi ka qenë njëri nga tre udhëheqësit e Lëvizjes në fund të viteve ’80 bashkë me Fadil Vatën dhe Afrim Zhitinë, dhe kemi pasë rastin të shohim një dokumentar ku Hashim Thaçi flet për këtë dëshmor. Le të na sqarojë ky njeri për vdekjen e Behajdin Allaqit dhe tani shumë prej jush e dini mirë se çka konkretisht po pyes”, deklamoi Aliu.

Dosjebërësi

Siç do të rrëfente dy vite më vonë, ky fjalim inkurajoi “plot të tjerë” që të vinin te ai e të flisnin për rastin e Allaqit.

Nga ç’kujtohet nga ish-aktivistë të Vetëvendosjes, Aliu ishte bërë më i zëshmi për ta armëzuar këtë rast si dossier kundër Hashim Thaçit.

Ai, madje, edhe do të bënte trysni në media të caktuara që kur ta kishin Thaçin mysafir ta sfidonin me pyetje për rastin në fjalë.

Në emisionin ‘Rubikon’ me gazetarin Adriatik Kelmendi, më 16 dhjetor 2015, Aliu do të shfaqej goxha eksplicit.

Sipas tij, në LPRK pati “një kryqëzim të pashmangshëm” mes Thaçit dhe Allaqit.

Dy vjet pasi i kishte shkrehur akuzat e rënda publike, Aliu e kishte stisur edhe rrëfimin e vet personal.

Sa kohë kishte qëndruar në burg, tregonte ai, mes të burgosurve bëheshin muhabete të pafundme ku njerëz të LPRK-së dhe LKÇK-së ende vijonin të akuzonin njëri-tjetrin për ‘tradhti’ pas arrestimeve të 1993-s.

Në rrëfim e sipër, Aliu tregoi sesi “në burg na erdhi lajmi se Allaqi ishte ekzekutuar si tradhtar”.

Por bashkëpunëtori i Kurtit e kaloi këtë pjesë pa dhënë një sqarim të domosdoshëm.

Nëse ‘informacione’ të tilla hynin në një burg që administrohej nga organet serbe të sigurisë, sa vlerë duhej të gëzonte pretendimi se një aktivist ishte ekzekutuar si tradhtar?

Nëse të burgosurve aty iu shërbye ky pretendim, ata do të duhej të ishin të parët që të dyshonin në vërtetësinë e tij, aq më tepër që secili informacion nga jashtë flirtohej së pari nga administrata e burgut.

Dhe njëri nga këta të burgosur papritur ndjeu nevojën që vite më vonë kur ishte i lirë ta përhapte atë që e kishte dëgjuar në burg.

Megjithëse pas lirimit nga burgu Aliu për ca kohë u angazhua në PDK, ai asnjëherë nuk e zëroi aty si çështje rastin e Allaqit.

Tani si krahu i djathtë i Kurtit, ai po e rindërtonte retroaktivisht historinë duke e vënë veten në qendër si dikush që kërshërohej vetëm nga mëtimi për të vërtetën.

“Unë në atë moshë s’kam mundur të isha aq thellë i përfshirë në strukturat e lëvizjeve ilegale. Nuk kam ditur si ta vlerësoj këtë”, do të thoshte veç të tjerash Aliu.

Nuk kërkohej farë sforcimi për t’u kuptuar se rasti i Behajdin Allaqit dora-dorës po hynte në ‘fabrikën’ e Vetëvendosjes si lëndë e parë për t’u armëzuar si dosje kundër Thaçit.

Kur gazetari Kelmendi në të njëjtin bashkëbisedim e pyet Aliun se përse nuk i kishte kërkuar sqarime Rexhep Selimit për një gjë të tillë, ai këtu e rrotullon fletën.

Duke mos dashur ta vinte në vështirësi bashkëpartiakun, Aliu përgjigjet se Selimi nuk mund ta kishte njohur Allaqin meqë nuk ishte pjesë e strukturave të LPRK-së.

“Zoti Selimi në këtë kohë nuk ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në LPRK ashtu siç ka qenë Hashim Thaçi. Rexhep Selimi nuk mund ta njohë Behajdin Allaqin në veprimtaritë e asaj kohe”.

Një plan insiduoz i VV-së

Kërkimi për zbardhje të rastit dhe drejtësi është fisnik.

Por rasti në fjalë që nga 2012-a asnjëherë nuk i pati në qendër familjarët e Allaqit si të vetmit me të drejtë morale për drejtësi.

Në vend të tyre u shfaqen politikanë e media që çështjen do ta konvertonin në aset të luftës për të delegjitimuar kundërshtarë politikë.

Nga 2013-a e tutje, Lëvizja Vetëvendosje e kishte mësyrë familjen Allaqi në përpjekje për t’i instrumentalizuar.

Burime të NACIONALE-s brenda partisë së Kurtit tregojnë sesi ideja kishte qenë që familjarët e Allaqit t’i përdornin edhe si folës në protesta.

Një ofertë e tillë, gjithnjë sipas këtyre burimeve, qe hedhur poshtë nga gruaja e Behajdinit, Nazmije Allaqi, që kishte kërkuar që rasti i burrit të saj të mos përdorej për politikë.

Por, Behajdin Allaqi tashmë ishte bërë pjesë e diskursit ofansiv politik me fare pak motive të sinqerta për zbardhjen e tij.

“Është përmendur emri i tij, jo vetëm në Parlament e studio televizive, për qëllime djallëzore e jo për t’u sqaruar”, kishte thënë Zafir Berisha në një paraqitje për Kanal10 më 11 prill 2023.

Dhe kështu ishte e vërteta.

Kur deklarata e Aliut po mbulohej me pluhurin e harresës, atë do ta rikthente sërish Albin Kurti në qendër të vëmendjes gjithmonë duke e shenjëstruar kryearmikun e tij, Hashim Thaçi.

“Zëvendëskryeministri është personi i fundit që ka qenë me Behajdin Allaqin, por nuk tregon se çfarë ka ndodhur me të”, kishte thënë Kurti më 26 shkurt 2016 nga foltorja e Kuvendit.

Kur procesi në Hagë sapo kishte filluar, kryeministri Kurti sërish do ta përkujtonte Allaqin.

“Behajdin Allaqin e zhdukën”, shkroi ndër të tjerash ai.

Në ndërkohë, partia e tij do të vazhdonte sërish të shkelte derën e familjes Allaqi edhe kur fushatat zgjedhore ishin afër.

Kështu ngjau edhe vjet, më 24 janar 2025, kur një përfaqësi e lartë e Vetëvendosjes vizitoi familjen e Allaqit.

Sërish dosjebërësi

Kur Gjykata Speciale në tetor 2020 konfirmoi aktakuzën ndaj katërshes së UÇK-së, deputeti Aliu sërish do të bëhej i gjallë për të folur për rastin Allaqi.

Ndërsa e kuptonte që deklarimi i tij në Kuvendin e Kosovës e kishte marrë ‘vizën’ në Hagë, ai tani përpiqej të arnonte dëmin e bërë ose së paku ta zvogëlonte rolin e tij.

Në një paraqitje për KlanKosova, më 1 dhjetor 2020, Aliu u shfajësua se në fjalimin e tij në qershor të 2013-s vetëm sa kishte bërë me të drejtë pyetje për t’u sqaruar.

“Unë i kam bërë pyetje direkte atij (Hashim Thaçit – v.j) pa e ditur fare historinë reale, por e kam pyetur si personin kyç”.

Në minutat në vijim, në përpjekje për të relativizuar fjalimin që kishte shërbyer si kryehistori që rasti Allaqi t’i delegohej prokurorëve të Hagës, bashkëpunëtori i Kurtit tha se kjo çështje më mirë të ishte zgjidhur në Prishtinë, e jo në një gjykatë që “luftën e popullit tonë e trajton si ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Fillimi i një subkulture

Në këtë kohë, Vetëvendosja mund të mburrej se e kishte krijuar me sukses një ‘kauzë’ të rëndësishme e cila, bashkë me atë të Astrit Deharit, do të përdorej me efikasitet në luftën ditore politike.

Kjo frymëzoi edhe njerëz të tjerë që t’i shkonin pas avazit diskursiv të partisë së Kurtit.

Diçka i tillë del edhe libri i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ilaz Kadolli “Syri i Shqiponjës: Kujtime e përjetime” (Shoqëria Lëvizja, Prishtinë, 2017).

Në faqet 202-205, brenda të cilave tjerret kapitulli me titull “Likuidimi pa gjyq i Behajdin Allaçit”, autori nuk del përtej asaj që thotë se rasti në fjalë ishte “objekt interesimi dhe i bisedave, sidomos menjëherë pas përfundimit të luftës”.

Përveç dy bisedave me Muharrem Dinën-Mixhën dhe Selim Krasniqin, libri i Kadollit nuk sipërfaqëson asnjë provë të prekshme përveçse merr lirinë që të shkrehë përfundimin se “duket qartë se likuidimi i tij është një akt i dyshimtë”.

Këto cektësi nuk ishin farë pengese që trupi gjykues në maj të 2025-s të merrte një vendim për mocionin e Prokurorisë në Hagë mbi pranimin e dokumenteve – aty u njoftua se prova e 14-të do të ishte edhe libri “Syri i Shqiponjës”.

Por tabloja e dëshmive duket larg më e gjerë sesa dëshmitë e gjertanishme dhe konstatimet e Gjykatës Speciale siç u bënë të ditura në aktjgykimin e shkallës së parë.

Në librin e Kadollit, ndër të tjerash, shkruhej se Hashim Thaçi e Azem Syla, qysh në mbledhjen e prillit 1993 në Kollare të Kërçovës, kundërshtuan praninë e Allaqit për shkak se ai kishte sjellë në lëvizje një person të dyshuar për lidhje me shërbimet serbe.

Përshkrimi i Kadollit, së paku sipas tekstit përmbledhës të akgjykimit, ishte pranuar grosso modo duke e quajtur këtë si “mosmarrëveshje serioze”.

Por, kjo është mohuar së fundmi nga Ali Ahmeti, asobote njëri nga pjesëmarrësit qendrorë të mbledhjes në fjalë.

Dëshmitë e dobëta të Hagës

Në paraditën e 16 shtatorit 2026 kur u kumtua aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës – me dënime ekzamplare për katërshen udhëheqëse të UÇK-së – gjyqtari Smith në përmbledhjen e lexuar i kushtoi një faqe të plotë asaj që bashkë me kolegët e tij e konstatuan si “vrasje të paligjshme të Behajdin Allaqit”.

I zgjedhur qëllimisht si një mënyrë për ta bërë të pranueshëm vendimin dënues, rasti Allaqi, sipas ‘konstatimeve’ të trupit gjykues, nuk solli asgjë të re përtej përshkrimeve fare rrethanore që veçse kishin zënë vend në publikime burleske në ‘Bota Sot’ e platforma të tjera.

Sipas atyre që e përcollën ecurinë e procesit në Hagë, Trupi gjykues kishte kërkuar që dëshmitarët për rastin në fjalë të paraqiteshin në seanca të mbyllura.

Prej dëshmitarëve konfidencialë e deri te dokumentet e redaktuara, Gjykata kishte bërë çmos që kjo pjesë e gjykimit të kalonte pa vëmendje publike derisa vendimin e bëri me dije vetëm ditën e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas avokatit Luka Mishetiq, “pretendimi se Hashim Thaçi është përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit mbështetet lemeritshëm në dëshmi të dobëta, dëshmi të cilat gjykatësit urdhëruan që asnjëherë të mos i nënshtrohen shqyrtimit publik”.

Edhe avokati Pierre-Richard Prosper pati kundërshtime për publikimin e përfundimeve pa u shoqëruar me informacionet që i mbështesin ato.

Sipas tij, mbrojtja zotëronte informacione dhe pyetje për rastin, por nuk iu lejua t’i diskutonte publikisht.

Pjesë e kësaj tabloje është edhe një dokument i 21 nëntorit 2000 kur bashkëshortja e Behajdinit, Nazmije Allaqi, kishte deklaruar në policinë e UNMIK-ut se burri i saj ishte marrë prej policisë serbe në fshatin Drenoc.

Fabrika e mitomanisë

Derisa ende nuk dihet se cilat dëshmi iu bashkëngjitën konstatimit të Gjykatës në Hagë, rasti Allaqi më fort bie në sy për përdorimin e tij politik sesa për përpjekjet për ta zbardhur atë.

Ai mund të jetë një nga shembujt sesi ‘fabrika’ e mitomanisë është një nga të vetmet në Kosovë që prodhon me kapacitet të plotë.

Storiet me vrasje ose zhdukje të supozuara janë ato që shiten më së shumti, gjejnë gjithmonë blerës, dhe pasurohen me thashetheme të pafundme.

Krahu i djathtë i Kurtit Liburn Aliu – dikur njëri nga ministrat kryesorë të VV-së që u përlye me akuza për korrupsion dhe sot drejtor i Autoritetit Portual në Durrës – u bë tellall i kësaj ‘kauze’ në zhvillim.

Kësodore, rasti Allaqi e përjetoi një lloj gjykimi paraprak (pre-trial), ku akuzat politike e shndërruan nga një çështje e pazgjidhur në një të tillë ku dihej paraprakisht fajtori, dorasi apo përgjegjësi.

Kjo ndodhi tre vite para se VV-ja të sajonte kauzën për Astrit Deharin me të cilën e hapi rrugën për pushtet. Por nëse kjo e fundit nuk gjeti blerës jashtë vendit, kauza me Allaqin e mori vizën për në Hagë.

Gjithçka e prodhuar nga 2012-a e deri më sot – nga shkrime të dobëta burleske e deri te publikime personale – fillon e mbaron me formulime të tilla, si “kam dëgjuar…”, “më kanë thënë…”, e të ngjashme, ku subjekti operon me thashetheme e asnjëherë me diçka në natyrën e faktit.

Kjo, ironikisht, ka një rimë me vitin e largët 1904 kur gazetari britanik, Herbert Vivian e vizitoi Kosovën.

Anipse shquhej për qëndrime serbofile, atij i ra në sy sesi serbët e vendit kishin krijuar një si tabiat adiktiv për të folur në hava për vrasje që kurrë nuk dinin t’i vërtetonin. Në librin e tij The Servian Tragedy (1904, fq.245), Vivian shkroi:

“…biseda e tyre është ajo e një vajtimi të gjatë; ata e kalojnë krejt kohën duke përsëritur tregime vrasjesh, të cilat zor se kanë farë mbështetje; ata gjithmonë ankohen për veten e tyre me shumë fraza të turbullta mbi shtypjen dhe dëshpërimin, por ata janë të paaftë kur dikush u kërkon të dëshmojnë ndonjë detaj në mbështetje të ankesave të tyre. Sjellja e tyre është e fshehtë; ata flasin me pëshpëritje edhe kur nuk është nevoja e ndonjë fshehtësie...” /Nacionale/

Lajme të ngjashme