BE dhe SHBA kërkojnë formimin e institucioneve: Ngërçi politik po i kushton Kosovës
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjet për tejkalimin e ngërçit institucional në Kosovë, duke kërkuar nga liderët politikë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim për thellimin e krizës institucionale, veçanërisht për faktin se Kuvendi ende nuk është konstituuar edhe pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht.
“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon për rtv21.
Sipas BE-së, vonesat në formimin e institucioneve rrezikojnë të pengojnë reformat e rëndësishme dhe mund të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, përfshirë fondet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka përsëritur thirrjen që liderët politikë të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve. Në një përgjigje për rtv21, Ambasada amerikane ka theksuar se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
SHBA-ja ka paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik po i kushton Kosovës me humbje të mundësive, duke kërkuar nga udhëheqësit që t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit.
“Udhëheqësit politikw të Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit. Ngërçi i vazhdueshëm po i kushton Kosovës me humbje mundësish; udhëheqësit duhet t’i japë përparësi progresit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët”, tha një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Të dyja palët kanë përcjellë mesazh të ngjashëm: institucionet duhet të formohen pa vonesa të mëtejshme, ndërsa liderët politikë duhet të vendosin interesin e vendit mbi përplasjet politike.
BE-ja ka vënë theksin veçanërisht te pasojat për reformat dhe përfitimet nga Plani i Rritjes, ndërsa SHBA-ja ka paralajmëruar për humbjen e mundësive dhe ka kërkuar progres e stabilitet për qytetarët e Kosovës.