IKD: Bllokada institucionale rrezikon mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes - NACIONALE

IKD: Bllokada institucionale rrezikon mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes

4 orë më parë

nga NACIONALE

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur shqetësimin se bllokada institucionale në Kosovë mund të rrezikojë mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Sipas IKD-së, Kosova duhet të përmbushë deri në fund të vitit 2026 shtatë hapa në kuadër të Fushës 3 të Planit të Rritjes, të cilat kanë një vlerë të përgjithshme prej rreth 34.4 milionë eurosh.

Këto fonde janë të lidhura me reforma që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e investimeve, mbështetjen e ndërmarrjeve dhe zgjerimin e qasjes në financim.

Ndër obligimet që duhet të përmbushë Kosova janë funksionalizimi i institucioneve përgjegjëse për ndihmën shtetërore, investimet dhe eksportin, si dhe miratimi i Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në listën e reformave përfshihen edhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve publike, përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së në fushën e transportit të mallrave dhe avancimi i kornizës ligjore për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.

IKD vlerëson se këto obligime nuk përbëjnë vetëm reforma teknike. Sipas institutit, një pjesë e tyre kërkon miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për pjesën tjetër nevojiten vendimmarrje institucionale dhe institucione funksionale.

Në këtë kuadër, IKD paralajmëron se vazhdimi i bllokadës institucionale mund të ndikojë drejtpërdrejt në përmbushjen e reformave dhe, rrjedhimisht, në mundësinë e Kosovës për të përfituar nga fondet e parapara në kuadër të Planit të Rritjes.

Lajme të ngjashme